KRRTRSH miraton disa vendime të rëndësishme në fushën e energjisë eolike dhe asaj hidrike
Sot, në drejtimin e Kryeministrit Berisha, u mblodh Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH), i cili mori në shqyrtim dhe u miratoi disa vendime të rëndësishme në fushën e energjisë. Kryeministri Berisha, njëherësh kryetar i KRRTRSH-së, veçoi të një rëndësie të veçantë vendimet për ndërtimin e parqeve eolike dhe miratimin e studime për sheshe ndërtimi për disa hidrocentrale. Kështu, KRRTRSh-ja miratoi:
1. Detyrën e projektimit të Masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e centraleve elektrike me erë “Parku eolik KAPPET”, komuna çerravë, Vreshtas, Qendër Bilisht, qarku Korçë.
2. Detyrën e projektimit dhe Masterplanin e Parkut Energjetik dhe Eolik në Kryevidh, qarku Tiranë.
Lidhur me parkun eolik në Kryevidh, Kryeministri Berisha, duke marrë në konsideratë faktin se kjo zonë është e përshtatshme për ndërtimin e parqeve eolike, pasi matjet dëshmojnë që fluksi i erës është i përfillshëm, kërkoi që studimi të garantojë eliminimin e ndotjes akustike, në respektim të përparësisë që ka kjo zonë, turizmit. Distanca e turbinave, tha Kryeministri, duhet të jetë e atillë nga zona turistike, që zhurma e tyre të jetë zero. Nuk do të pranohet që parku të krijojë zhurmë për të gjithë zonën, që është nga më të bukurat, si Spilleja etj.. Kryeministri theksoi se kjo është një kërkesë në tërësi për bregun dhe për të gjitha kompanitë e turizmit.
Investimi për ndërtimin e këtij parku është në vlerën e 144 milion eurove.
3. Shesh ndërtimi për hidrocentralin e Sasajt, në komunën Lukovë.
Hidrocentrali i Sasajt parashikon ndërtimin e një tuneli 2.35 kilometra dhe një kapacitet prodhues prej 38 milion kilovat/orë energji në vit.
KRRTRSH mbështeti kërkesën e Kryeministrit Berisha dhe Sekretarisë Teknike që ndërtesa e godinës së hidrocentralit të ketë një pamje arkitekturore të bukur, që shkon në harmoni me zonën turistike të Lukovës.
4. Studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralet “Bele1”, “Bele2”, “Orgjost i ri”, “Topojan 1”, “Topojan 2”, në komunat Zapod dhe Topojan, qarku Kukës.
Hidrocentralet, një investim në vlerën e 30 milion eurove, do të kenë një fuqi të instaluar prej 25.3 megavat dhe një prodhim prej 120 milion kilovat/orë në vit.
5. Studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralin “Peshk”, Martanesh.
Ky hidrocentral do të ketë një fuqi të instaluar prej 3.4 megavat dhe prodhim prej 18 milion kilovat/orë energji në vit.
Po ashtu KRRTRSH-ja miratoi:
1. Ndryshim i projektit të fabrikës së çimentos COLACEM, brenda kufijve të lejes së sheshit të miratuar më parë.
2. Studim depozita bregdetare, terminal karburantesh, fshati Rinia, Porto Romano, qarku Durrës, me sipërfaqe 31983 m2, investitor Europetrol Durrës Albania. Projekti ka një vlerë investimi prej 10 milion euro.
06/07/2010