Kryeministri Berisha i dërgon një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të njohur shkodran Bep Shiroka
Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të njohur shkodran Bep Shiroka.
Në mesazhin e tij, kryeministri Berisha shprehet:
“Të nderuar familjarë dhe të afërm të të ndjerit Bep Shiroka.
Ndihem thellësisht i prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur dhe njëkohësisht të aktorit të madh shkodran, që me interpretimin e tij mbresëlënës, në kinematografi dhe teatër u ka falur spektatorëve shqiptarë shumë role interesante që do të ruhen gjatë në kujtesën e tyre.
Bep Shiroka me humorin e natyrshëm shkodran, të derdhur me shumë mjeshtëri në role kinematografike të shkëlqyera do të mbetet gjithmonë një figurë e paharruar për Shkodrën dhe për të gjithë artdashësit shqiptarë, të cilët do ta kujtojnë me nostalgji dhe nderim këtë artist fisnik.
Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta.
Me respekt
Sali Berisha”
03/07/2010