KRRTRSH miraton disa vendime të rëndësishme në fushën e turizmit
Këshilli i Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) miratoi sot edhe disa vendime të rëndësishme në fushën e turizmit. Kështu u miratuan vendimet:
1. Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të zonës turistike Vilë-Bashtovë, miratimin e planit të përgjithshëm rregullues të kësaj zone, si dhe studimet urbanistike pjesore në zbërthim të këtij plani, komuna Gosë, Kavajë.
Kryeministri Berisha tha se në këtë zonë do të realizohet një ndër projektet më të mëdha turistike në vend, që parashikon një investim prej 1.2 miliard euro dhe i rikthen Vilë-Bashtovës, të gjitha vlerat e mëdha që ka kjo zonë. “Në histori, Vilë-Bashtova ka qenë një nga portet dhe qendrat e rëndësishme për Elbasanin dhe tërë Shqipërinë e mesme. Në të gjitha vështirësitë që i ka rënë Durrësit, gjatë historisë, Vilë-Bashtova ka qenë qendër zëvendësuese. Dëshmi e kësaj, tani është vetëm kështjella e bukur. Natyrisht, ky projekt i rikthen Vilë-Bashtovës kohërat që i kanë munguar, gjatë dy shekujve të fundit’, u shpreh Kryeministri.
Projekti ndërthur disa elemente si shfrytëzim i pjesëve më panoramike të zonës, ndërtim i mjediseve sportive dhe do të ofrojë mjedise akomoduese për 30 mijë pushues, e gërshetuar kjo edhe me turizmin ditor. Kryeministri vlerësoi faktin se projekti nuk prek tokat bujqësore, por shfrytëzon toka djerrinë, duke i rigjeneruar dhe duke i shndërruar në një resort turistik, nga më të bukurit, në brigjet e Adriatikut.
Kryeministri përgëzoj kompaninë për projektin dhe autoritetet vendore që e kanë ndjekur, si një dëshmi e një vullneti të hekurt të tyre për të tërhequr investime.
2. Detyra e projektimit për Masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon dhe masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon, në komunën Buçimas, qarku Korçë.
Kryeministri Berisha kërkoi që të respektohen Konventat për ruajtjen e liqenit të Ohrit, si dhe të shihet mundësia e integrimit të kësaj zone në masterplanin e përgjithshëm të liqenit, i cili duhet të fillojë nga Lini në Tushemisht. Bregu, sëbashku me Drilonin, - tha Kryeministri - përbëjnë një perlë të papërsëritshme turistike, në të gjitha brigjet e liqeneve dhe deteve të vendit.
06/07/2010