KS diskuton pr Kosovn

Ai tha se tani që është marrë vendimi, ai shpreson që bisedimet mund të fillojnë.
Ky dialog do të jetë shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Të dy ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Kosovës i thanë Këshillit të Sigurimit se ata dëshirojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet, ndërkohë që hedhin vështrimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Por citimet e tyre dhe interpretimet e ndryshme të vendimit të gjykatës dhanë përshtypjen se pajtimi dhe normalizimi i marrëdhenieve nuk do të jenë as të shpejta dhe as të lehta.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kishte lënë hapësirë, siç tha ai, për keqinterpretim të rrezikshëm, të pikëpamjeve të gjykatës dhe mund të legjitimojë lëvizje të tjera për shkëputje në mbarë botën.
Por Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se vendimi i gjykatës ishte mjaft i qartë dhe nuk linte hapësirë për dyshim.
Ai i tha Këshillit të Sigurimit se ka ardhur koha për të zëvendësuar rezolutën 1244, e cila krijoi misionin e përkohëshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me një rezolutë që reflekton realitetet e pavarësisë së Kosovës.
Por duke folur për shtypin pas takimit, ambasadori rus Vitaly Churkin, i cili është president i Këshillit të Sigurimit këtë muaj, tha se ai nuk mendonte se rezoluta 1244 do të ndryshojë apo që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
Ndërkohë zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rosemary DiCarlo tha se vendi i saj ka shpresuar se vendimi i gjykatës do të shërbejë për Kosovën dhe Serbinë si bazë për të kapërcyer përtej debateve të së kaluarës dhe të bashkëpunojnë në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.