E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS per Kosoven bie propozimi rus per veriun

Këshilli i Sigurimit nuk miratoi propozimin e Rusisë për të nxjerrë një deklaratë me të cilën do t’i kërkohej shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të shmangin dhunën dhe të zgjidhin mosmarrveshjet përmes dialogut. 

Takimi urgjent, që u mbajt pas mesnatës (sipas kohës në Evropë), erdhi me kërkesë të Rusisë dhe Serbisë për të “shqyrtuar situatën në Kosovë për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”, pas paralajmërimit të Prishtinës zyrtare që më 16 shtator të zbatojë në tërësi planin për operacionalizimin e plotë të pikave kufitare në veri të Mitrovicës. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ai serb Vuk Jeremiq debatuan ashpër për çështjen e pikave doganore. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte e mbyllur për media, ndonëse para nisjes së takimit sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në veri.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat do të mund t’i përshkallëzonin tensionet në atë zonë. U kërkoj autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, e të vazhdojnë suksesin e deritashëm të tyre dhe që të ndërmarrin hapa praktik drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani. U kërkoj gjithashtu që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të parandaluar konfrontimet dhe dhunën në veri të Kosovës”, citohet Ban ki Moon.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione Paqeruajtëse, Edmund Mulet, shprehu qëndrimin zyrtar të Këshilli i Sigurimit. "Ne jemi kundër veprimeve të njëanshme që nxehin retorikën të ndërmara nga njëra palë ose tjetra, duke përfshirë çdo veprim të njëanshëm që kërcënon të ardhmen e dialogut," tha ai.
Në letrën e tij drejtuar presidentit libanez të Këshillit të Sigurimit, ambasadorit Naëaf Salam - Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç akuzon forcat e KFORIT dhe EULEX për shkelkje të rëndë të statusit të tyre neutral duke lehtësuar" transferimin e autoritetit mbi Portat 1 dhe 31 .

Por sipas Këshilli të Sigurimit diplomatët si Serbia dhe Kosova kanë keqinterpretuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE në Portat 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Në kushte anonimati diplomatët thanë se EULEX-i do të marrë përsipër vendkalimet ndërsa prania e policisë dhe doganierve të Kosovës do të reduktohet në minimumin e domosdoshëm.

Që nga viti 2008, shteti i ri prej rreth 1.7 milionë shqiptarësh është njohur nga më shumë se 80 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së megjithatë nuk ka një vend në Kombet e Bashkuara edhe për shkak të opozitës së fortë ruse në këtë drejtim.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›