E Diel, 1 Nëntor 2026

Klani i mbështetur nga Basha po bën kërdinë në ambasadën tonë në Danimarkë

Nga Arben Hoxhaj, Sekretar i Parë, Ambasada e RSH, Danimarkë

* Letër e hapur, drejtuar ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha

Z. ministër,

Që prej dy vjetësh e katër muajsh jam pjesë e shërbimit të jashtëm. Por në rregulloren e shërbimit të jashtëm nuk ka asnjë rresht ku të shkruhet se ish-pjesëtarët e nomenklaturës së kuqe komuniste, të trajtohen si diplomatë dhe të kenë përfitime të paligjshme, duke shkelur kështu Konventën e Vjenës dhe duke abuzuar me ligjet e një shteti si Danimarka, ashtu siç është vepruar deri me sot në ambasadën tonë, duke nxirë kështu faqen e vendit tonë në Evropë.

Për këtë ju kam vënë në dispozicion dokumente që provojnë çka shkrova më lart. Dokumente, të cilat nuk mund të falsifikohen dot, pasi janë dokumente të një shteti numër një në listën e transparencës ndërkombëtare, mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Ballkan. Ajo çka ju kërkova ishte vetëm dërgimi i auditit për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore fajtorët.

Por klani komunist, i mbështetur nga ju, paraqiti dokumente qesharake, që atë që kishin vjedhur dhe abuzuar vetë të na e ngarkonin ne. Veprim, të cilin edhe vetë Sigurimi i Shtetit i diktaturës komuniste do ta kishte zili.

Në rregulloren e shërbimit të jashtëm nuk ka asnjë rresht ku të shkruhet se ambasada nuk njeh shkresat e Drejtorisë së Financës dhe të zv/ministres.

Është bërë një miratim nga drejtoresha e Financës, zonja e nderuar Ilda Dega, në fillim të vitit 2007. Jemi në fund të vitit 2008. Kur do të zbatohet?

A është në punë zv/ministrja, zonja e nderuar Edith Harxhi? Pyesni për këtë në Këshillin e Ministrave dhe n.q.s po, atëherë përse është përdhosur shkresa e saj nr. 3423, datë 14.02.08?

Si rrjedhojë e mosnjohjes së kësaj shkrese, u gjet preteksti për të pushuar nga puna financieren, mua më është mbajtur rroga dhe nuk me njihen ditët e shërbimit në MPJ, si dhe nuk njihet shkresa e dërguar nga Drejtoria e Financës për pagesën e shpenzimeve të udhëtimit.

Z. ministër,

Veprime të tilla, si pushimi nga puna i financieres në datën 18 mars 2008, mbyllja e raportit financiar të muajit shkurt pa firmën e saj, pasi nuk ishte dakord me një pagesë të parregullt, dalja e urdhrit tuaj për pushimin e saj më 28 korrik, moskryerja e dorëzimit të dokumentacionit me procesverbal sipas rregullit dhe ligjit, mosdhënia e urdhrit të pushimit, mbajtja e financës prej vetë titullarit, janë veprime antiligjore, por të mirëplanifikuara nga ju dhe klani juaj për hapa të mëtejshme.

A mos vallë u trembët, z. ministër, kur u njoftuat se kjo çështje i ka kaluar gjykatës dhe në vijim ndërmorët hapin e dytë? A do të ndaleni këtu? A u mjaftuat me kaq apo keni përgatitur hapa të tjerë për të ndërmarrë në të ardhmen?

Është përdorur rëndom dhe me tallje emri i Gjergji Lezhjes në zyrat e ambasadës. E njoh personalisht z. Lezhja që prej vitit 1992, por po ju them se asnjëherë nuk i jam drejtuar për problemin e korrupsionit në ambasadën tonë.

Z. ministër,

Kur nisëm luftën ndaj korrupsionit në ambasadë, na u bë e qartë se me kë kishim të bënim dhe se do të kishim pasoja, por që ky klan komunist mafioz të kishte mbështetjen dhe përkrahjen tuaj të plotë dhe të arrinte deri aty, sa të falsifikonte dokumente, këtë vetëm tani e besoj.

Megjithatë z. ministër, beteja ndaj korrupsionit është një betejë, të cilën vendi im është i detyruar ta fitojë, për të siguruar të ardhmen i tij evropiane, kur përfaqësuesi i shtetit të paraqitet me dinjitet dhe të tregojë se vendi i tij po bën hapa përpara. Por nuk mund të propagandosh luftë ndaj korrupsionit, kur përfaqësuesi yt është i zhytur kokë e këmbë në llumin e tij.

Por, në këtë betejë të vështirë ka pasur dhe do të ketë njerëz të ndershëm që do ta drejtojnë Shqipërinë drejt së ardhmes evropiane.

* Dokumentet e këtij skandali do publikohen në ditët në vijim nga gazeta “TemA”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›