Mbetjet spitalore, paketë e re ligjore për eliminimin
zirina llambro
Mbetjet spitalore po kërcënojnë jetën e qytetarëve. Trajtimi i tyre në vendin tonë mbetet problem madhor dhe lë për të dëshiruar. Në shumë spitale rrethesh, këto mbetje i sheh në oborre, apo në kazanët publike, ndërsa te "Nënë Tereza", ato digjen në një impiant jashtë standardeve. Aq më keq në një impiant të instaluar mu në mes të një zone të banuar, çka sipas OBSH-së është e palejueshme. E ndërsa ky problem është ngritur me dhjetëra herë, për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit pranojnë bashkarisht situatën. Në tryezën e përbashkët, të mbledhur dje për hartimin e një strategjie për zgjidhjen e këtij problemi, dy ministrat Vasili e Mediu u shprehën se spitalet nuk po i trajtojnë si duhet mbetjet e rrezikshme spitalore. Kjo në një kohë kur, sipas statistikave, ato zënë 0.17 % të mbetjeve në tërësi. "Mbetjet e patrajtuara mirë mbajnë gjallë infeksionet spitalore, kjo do të thotë se rritet kostoja për trajtimin e pacientëve, deri në dyfishimin e tij, për shkak të ndërthurjes së infeksioneve", tha Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, është shqetësuese situata sepse vetë specifikimi që kanë këto mbetje tregon se përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin e njerëzve. Ai shtoi se mbetjet spitalore janë një produkt që prodhohet në të gjithë strukturat spitalore dhe kudo ku afrohet shërbim shëndetësor. Ndërkaq Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, u shpreh se nuk ekzistojnë regjistra për llojet, sasinë dhe peshën e mbetjeve spitalore. "Një pjesë e spitaleve kanë lidhur kontrata të kundraligjshme me subjekte private, që nuk kanë lejet e posaçme për trajtimin e mbetjeve spitalore, të cilat i depozitojnë të patrajtuara në fushat e depozitimit të mbetjeve urbane, si dhe në vende të tjera të pa miratuara me ligj nga organet kompetente", tha Mediu. Ai theksoi se është domosdoshmëri hartimi i një pakete ligjore mbi këtë problem. Edhe Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili e cilësoi ndërhyrjen në legjislacion si mjaft të rëndësishme. "Ndaj unë jam me ministrin Mediu, që paketa ligjore e cila duhet të ketë pjesë të veçanta edhe përsa i takon trajtimit të mbeturinave spitalore. Detyra jonë është të vendosim standarde dhe të kërkojmë zbatimin e tyre", tha Ministri i Shëndetësisë. Për trajtimin sa më mirë, duke mos cënuar jetën e qytetarëve, duhet që spitalet publike të parashikojnë në buxhetin e tyre një zë të veçantë financiar për mbetjet spitalore.