E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Mirit të Xhikes,në gjyq ekspertët e ADN



Armand Bajrami

Ekspertët që kanë analizuar ADN-në e njollave të gjakut në një kapuç të gjetur pranë vendit ku u vra Fatmir Rama, i njohur edhe si Miri i Xhikes në vitin 2003, do të japin shpjegime në procesin gjyqësor ndaj Lavdërim Tufës në Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza të kësaj gjykate pranuan dje kërkesën për pyetjen në gjykatë të ekspertit italian Renato Bjondi dhe të ekspertes shqiptare Mimoza Haxhihyseni. Paraqitja e tyre në gjykatë u kërkua pas kundërshtive të avokatit mbrojtës të të pandehurit Lavdërim Tufa, i cili tha se ekspertizat e ADN-së për autorësinë e ngjarjes janë të pavlefshme. Në seancën e djeshme, avokati pretendoi pavlefshmërinë e këtyre akteve, duke thënë se ato nuk janë marrë sipas ligjit. "Ne pretendojmë se gjurma gjak-pështymë në kapuçin e gjetur pranë vendngjarjes, nuk është marrë nga organet kompetente. Edhe akt-ekspertimi i kryer nga Renato Bjondi kundërshtohet nga ne, pasi eksperti nuk ka qenë i ngarkuar me detyrën e kryerjes së aktit të ekspertimit në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale", tha avokati. Sipas mbrojtësit, akt-ekspertimi mund të kryhej vetëm pasi ekspertit t'i caktoheshin detyrat nga gjykata dhe ai të bënte betimin para saj. Edhe për akt-ekspertimin e përgatitur nga ekspertja shqiptare, avokati pretendoi pavlefshmëri me argumentin se ai ishte bërë duke iu referuar atij italian. Nga ana e përfaqësuesve të akuzës u pretendua se ekspertimi në Itali ishte bërë për shkak të pamundësisë teknike në vendin tonë, por se ai ishte kryer sipas marrëveshjeve mes dy shteteve në fushën penale. Po sipas akuzës, ekspertja shqiptare Haxhihyseni kishte qenë prezente në kryerjen e analizave të ADN-së në Romë, Itali. Po për shkak të kundërshtive prokurorët e çështjes kërkuan thirrjen e ekspertëve në proces për të dhënë shpjegime, kërkesë që u pranua nga gjykata. Lavdërim Tufa akuzohet nga prokuroria si autor i ngjarjes së 29 marsit 2003 në Lundër të Tiranës, ku në një atentat të armatosur u vranë tre persona, mes të cilëve edhe Fatmir Rama (Miri i Xhikes). Aktualisht dosja në ngarkim të tij po rigjykohet nga themeli në Gjykatën e Tiranës. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›