KSHH publikoi sot raportin përfundimtar për zgjedhjet e qershorit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka publikuar sot raportin përfundimtar mbi ecurinë e procesit zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri. Ndonëse vëzhgimi i zgjedhjeve nga KSHH ishte i pjesshëm, ky komitet ka konstatuar disa shkelje që "kanë dëmtuar procesin zgjedhor në ato elementë që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve të kërkuara". Sipas KSHH-së, referuar dhe raportimeve të ndërmjetme të vëzhguesve ndërkombëtarë, "krahas disa arritjeve, në drejtim të kuadrit ligjor dhe përgatitjeve paraprake tekniko-organizative, gjatë procesit u paraqitën fakte shqetësuese, qëndrime të njëanshme dhe të politizuara të KQZ-së, presione dhe ndërhyrje në veprimtarinë e komisioneve zgjedhore, vlerësime negative sidomos gjatë fazës së numërimit të votave". Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, KSHH aktivizoi 150 vëzhgues afatgjatë, të akredituar nga KQZ, që kishin objekt vëzhgimi ngritjen dhe funksionimin e administratës zgjedhore, pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, shpalljen e listave zgjedhore si dhe vëzhgimin e disa elementeve të fushatës elektorale, procesin e votimit dhe numërimit të votave. KSHH-ja monitoroi rreth 700 qendra votimi në rrethet kryesore, nga 4812 të ngritura në shkallë vendi si dhe rreth 25 qendra të numërimit të votave në KZAZ-të e përfshira në zonat ku u shtri vëzhgimi (nga 66 të ngritura në shkallë vendi). Nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit doli fitues koalicioni i djathtë "Aleanca e Ndryshimit" i udhëhequr nga Partia Demokratike.
...