E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimet bujqësore të Korçës për herë të parë në Kosovë dhe Maqedoni

Prodhimet bujqësore të rajonit të Korçës për herë të parë këtë vit kanë filluar të eksportohen jashtë vendit, duke gjetur treg shitjeje ne Kosovë dhe Maqedoni. Një prej këtyre produkteve janë qepët e zonës së Devollit, për blerjen me shumicë të të cilave janë interesuar tregtarët nga Kosova dhe Maqedonia. “Rreth 20 mijë kuintalë qepë të prodhuara në zonën e Devollit të Sipërm, në fshtara si Miras, Menkulas etj, janë shitur deri tani në  Kosovë dhe Maqedoni”, tha Drejtori i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Korçë, Ardian Maho. Qepa e  bardhë dhe e ëmbël e zonës së Devollit është pak e rezistueshme dhe dëmtohet deri në periudhën e dimrit. Ky prodhim, vitin e kaluar, në një pjesë të madhe u mbeti pa shitur fermerëve të zonës. Por, këtë vit ka nisur mbarë gjetja e tregut për qepën që kultivojnë fermerët e rajonit në juglindje të Shqipërisë, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij. Fermerët që kanë arritur të tregtojnë qepët e prodhuara janë të kënaqur me çmimin e lartë të shitjes në tregjet jashtë vendit, sikurse dhe me faktin se kanë arritur të largojnë në kohë prodhimin nga magazinat e tyre. Një tjetër lehtësim për fermerët e rrethit të Devollit është fakti se tregtarët kosovarë dhe ata maqedonas shkojnë në vend, me mjetet e transportit për të blerë mallin. “Prodhimet cilësore të rajonit të Korçës plotësojnë jo vetëm tregun vendas, por po hyjnë në një fazë të rëndësishme të eksportimit. Vetë prodhuesit, tashmë kanë mundësi më të mëdha për një treg më të gjerë se tregu vendas”, u shpreh Ardian Maho. Sipas tij, eksportimi i prodhimit të qepës në Kosovë dhe Maqedoni është vetëm hapi i parë i zgjerimit të tregut të prodhimeve bujqësore nga rajoni i Korçës. Maho shtoi senga tregu kosovar dhe ai maqedonas kanë ardhur edhe kërkesa për mollën dhe pataten, produkte këto mjaft cilësore dhe me prodhimtari të lartë në zonën e Korçës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›