E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUJT IA KA ZENE RRUGEN SKENDERBEU?

Rreth viteve nëntëdhjetë më pat rënë në dorë një vëllim me tregime i shkrimtarit ultranacionalisht serb, Ivo Andriç, i cili kishte fituar edhe çmimin "Nobel". Meqë libra të tillë ishin të rrallë në atë kohë, edhe leximi nuk ishte lexim, por përpirje e tekstit, ngaqë kërkonim të dinim sa më shumë, të shikonim gjykimet e të tjerëve, veçanërisht për ne, shqiptarët, teknikën artistike, të vërenim këndshikimet ndryshe, idetë që autorët publikonin përmes veprës etj.

Ndërmjet të tjerave, lexova një tregim, në qendër të të cilit ishte vendosur një figurë shumë e dashur e jona, një mit i yni që respektohet, komentohet, mësohet e merret si shembull, shkurt krenohemi me të: Gjergj Elez Alia.

Të them të drejtën mu plagos mendja! Ku e kishte pikasur ky shkrimtar nacionalist serb të tallej me këtë figurë të dashur legjendare të shqiptarëve!? Pse, pse pikërisht Gjergj Elez Alinë, mu atë që me nëntë plagë në trup marrë në luftë kundër balozit lëngonte nëntë vjet në shtrat. Nëntë plagët ia lante motra e vet me lotët e syve dhe ujët e krojeve. Dhe kështu, në këtë gjendje kur ishte fjala për ruajtjen e vendit nga pushtimi dhe e nderit që kërcënohej seriozisht mori forca, u ngrit dhe e shtriu përdhe balozin. Pas këtij akti, zuri përsëri shtratin, la amanetet e fundit, Atdheun, tokën dhe motrën dhe iku nga kjo botë mbuluar me nder e lavdi.

Nëntë plagët e shqiptarëve

Studiuesi suedez, Ullmar Qvick, një prej njohësve të historisë, kulturës e traditës shqiptare në një analizë që i bën këngës së Gjergj Elez Alisë, krahas vlerësimit të madh të kësaj kënge monumentale legjendare të popullit tonë, thotë: "Kjo këngë, për fisnikërinë e shpirtit shqiptar ka një mesazh për rininë e sotme shqiptare: Krenohuni! Ju keni pasuri që as koha nuk do t‘i prekë! Dhe në të njëjtën kohë kjo këngë është një kushtrim. Jo për luftë, por për rilindjen e shumëvonuar shqiptare me mjete paqësore. Nëntë plagët mbi trupin e Gjergjit janë trashëguar brez pas brezi. Sot këto plagë mund të quhen: varfëria, papunësia, korrupsioni, hakmarrja, shfrytëzimi i femrave, mosbesimi, demoralizmi, mërgimi dhe prapambetja shoqërore. Nëntë plagë mbi trupin shqiptar sot". Përnjëmend, duke qenë përfaqësuesit tipikë të mentalitetit tonë dhe të historisë, mitet dhe epokat e tyre mbartin me vete, por edhe transmetojnë, shqetësimet e brengat që përjeton populli të cilit i përkasin. Prandaj mitet janë jo vetëm frymëzuesit e përhershëm, por edhe përcjellësit autentikë të gjithçkaje që jetohet e përjetohet te një popull edhe qindra apo mijëra vjet më pas.

Duke lexuar me vëmendje ato pak faqe të tregimit të Ivo Andriçit, duke përpirë çdo fjalë, çdo rresht, çdo paragraf…deri në përfundim, ndjeva tronditjen shpirtërore që nuk e kisha përjetuar kurrë në jetën time. Ivo Andriçi kishte ditur se ç‘të trajtonte, kishte ditur ku të godiste, ku të prekte pikërisht aty ku dhemb më shumë. Me një fjalë kishte ditur me mjeshtërinë e tij të futet në psikologjinë e atyre për të cilët shkruante dhe të ndikonte shumë me fjalën e tij, me idenë e tij, me strategjinë e tij. Andriç, i pajisur me aftësi e talent artistik, kishte studiuar mjaft mirë, gjerë e thellë mitin tonë, krenarinë tonë, sintezën e kulturës tonë kombëtare… Ashtu siç kishte ditur të hartojë edhe një elaborat për shfarosjen e shqiptarëve, aty nga fillimi i shekullit të njëzetë, njëlloj si Vasa Çubriloviçi, në mos më keq.

Kush ka pasur rastin ta lexojë atë tregim (më duket se titulli i tij qe "Gjergj Elez Alia në han"), shikon menjëherë se me çfarë urrejtje të madhe autori denigron figurën tonë legjendare, e shpërfytyron atë, e deformon në atë masë saqë kur përfundon ato pak faqe thua me vete se sa me plan e synim është shkruar.

Denigrimi që i kishte bërë ky autor Gjergj Elez Alisë kishte qëllimin e poshtërimit të figurës legjendare e mitike dhe përmes këtij akti të poshtërojë popullin shqiptar, të forcojë edhe me shumë në psikozën veçmas evropiane, se shqiptarët jo vetëm se janë një popull i pakulturë, pa aftësinë e shtetbërjes, por edhe i padenjë për të pasur vendin që i ka falë zoti që nga krijimi i kësaj bote. Gjergj Elez Alia paraqitet si një njeri i pagdhendur, i trashë, i paditur, injorant, pa asnjë princip e qëllim, njëlloj siç ka trumbetuar e trumbeton edhe sot makina akademike dhe politike serbe për ne.

Aludimi është i qartë: duke denigruar e shpërfytyruar figurën tonë mitike, Gjergj Elez Alinë, shkrimtari serb synon të denigrojë popullin shqiptar, ta paraqesë atë pa kulturë, pa histori, pa traditë, pa origjinë, pa moral, pa vetëdije, të paorganizuar, të paaftë për të ndërtuar shtëpinë e vet, të padenjë për të bashkëjetuar me fqinjët... Mjafton kjo që më tej të mos thuhet më asnjë fjalë!

Pse t‘i çmitizojmë heronjtë!?

Sot është hedhë ideja e çmitizimit të figurave tona. Pse!? Kujt po i prishin punë të jenë në këtë pozicion që janë!?

Së pari, shëtit një koncept pa asnjë përmbajtje te disa mendje studiuesish se një popull që jeton ende me mite është popull i paqytetëruar. Në fakt, është e kundërta. Popuj të qytetëruar, shumë më shumë se ne, mbajnë gjallë mitet e tyre, i kthejnë ato në legjendë, edhe sikur të mos e meritojnë, frymëzohen prej tyre, ndikohen prej bëmave të tyre të kryera në kohën kur jetuan e vepruan, u thurin atyre lavde dhe krijojnë vepra për to për t‘i kthyer në legjenda.

Së dyti, orvatje të kësaj natyre tentohet të bëhen nga politikanë me mendje diabolike, pikërisht për shkak se kërkohet që të krijohen mite të tjera duke vënë në të shumtën e rasteve veten e tyre në qendër dhe njëkohësisht duke punuar për të sfumuar mitet e ngritura me të drejtë. Ne shqiptarët e kemi përvojën më mirë se çdokund tjetër. Madje edhe sot kemi përpjekje të kësaj natyre. Ka disa përpjekje që ndonjë politikan i yni të lejojë që ta quajnë Skënderbe. Merre me mend! Sa herë janë krahasuar me Skënderbeun kemi pasur një heshtje që flet, që përkthehet qartë se ky krahasim i pëlqen. Kësaj i thonë të matësh veten me hijen e mëngjesit. Realisht kjo dukuri e matjes apo konkurrencës me mitin e vërtetë sot është rrezik serioz i kohës tonë.

Po le të mbetemi në temën e shkrimit.

Konkretisht, sot është në rend të parë tentativa e çmitizimit të Skënderbeut. Pse!? Një pyetje e thjeshtë del para të gjithëve dhe vetëm një: Pse të çmitizohet figura jonë qendrore kombëtare? Kujt i shërben çmitizimi, apo kujt i prish punë të mbetet në paltronin e mitit ku është? Ǒi ka bërë, kujt i ka prishur punë dhe kujt i ka zënë rrugën Skënderbeu, që të veprohet kështu? Shumë pyetje dalin e shumë probleme mbijnë.

Mitet janë pasuri e madhe e një kombi

Mitet kombëtare, duke qenë pronë e të gjithëve nëpër historinë tonë të ashpër e të përgjaktë, kanë shërbyer për të përballuar situatat e vështira në rrugën tonë të mbijetesës. Për shkak të nevojës së domosdoshme mitet janë thirrur në skenë për të ndikuar në formësimin e psikologjive kolektive kombëtare, për të frymëzuar brezin të cilit historia i ka vënë detyrën e ruajtjes së identitetit e përparimit. Skënderbeu kur e ka lypë nevoja jonë historike është ngritur në qiell me plot të drejtë e është bërë mburojë e padiskutueshme.

Kohën kur jetoi e luftoi miti e krenaria jonë, rilindësit tanë e quajtën "moti i madh". Në përputhje edhe me konceptet e kohës Skënderbeu frymëzoi dhe ndikoi në mënyrë vendimtare për të ruajtur identitetin, për të formuar edhe psikologji kombëtare të cilat i vlejtën përparimit e formimit të vetëdijes tonë kolektive kombëtare. Naimi, De Rada, Gavril Dara e ngritën në qiell, jo vetëm se epoka e lavdishme e heroit tonë kombëtar e meritonte, por edhe se kështu e kërkonte koha kur ata jetuan e vepruan. Rilindësit ishin mësuesit moralë të popullit tonë dhe nuk kishin se si të mos ngrinin në piedestalin e merituar figurat tona që përbënin e përbëjnë krenarinë tonë.

Shekujt 18-19 ishin periudha e formimit të kombeve dhe çdo popull në formësim kombëtar thirri në skenën e historisë mitin e vet. Ne si popull i lashtë kishim tanët; Pirron, Aleksandrin e Madh, Gentin, Teutën... Skënderbeun, më të afërtin në kohë dhe më të madhin në bëma. Më shumë se katërqind vjet pas epokës së tij, na u desh më shumë se kurrë.

Më vonë, në shekullin e njëzetë, Fan Noli, Sabri Godo, Ismail Kadare e bënë njerëzor, të prekshëm, njeri të zakonshëm... ashtu siç ishte realisht, por edhe siç e kërkoi koha në të cilën jetuan këta autorë. Por në asnjë rast, as dje dhe as sot, Skënderbeu nuk ka zbritur prej mitit me të vetmen arsye, se një vendi i duhen mitet, i duhen si mjet, i duhen për të dëshmuar më shumë dinjitet, për të treguar lashtësinë, qenien, autoktoninë, kulturën, origjinalitetin. I duhen se edhe të vdekur ata janë shëmbëlltyrë e së mirës, e të drejtës, e cilësive morale, trashëgimisë gjenetike. Ata janë përfaqësuesit sintetikë të përvojës më të mirë, të intelektualitetit, dijes dhe përvojës për të kapërcyer vështirësitë që historia nxjerr përpara.

Mesazhi i studiuesit Ullmar Qvick ka një domethënie të madhe për sot. Ai vjen prej një vendi të civilizuar siç është Suedia, por askund nuk shikohet ideja apo përpjekja e çmitizimit. Pse të çmitizohen figurat tona dhe pse duhet bërë ky akt? Ǒdobi kemi ne si popull? Pse të çmitizohet, Akili, Çezari, apo Vilhem Teli, Roza Luksemburgu, Garibaldi apo Beniamin Pissi...?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›