KULTURA ËSHTË DOMOSDOSHMËRI E SHTETIT DEMOKRATIK
Në vitet e ndërtimit të një Shqipërie demokratike është vënë re një maratonë mes shtetasve se kush ka më shumë diploma, mastera, tituj shkencorë dhe të deklarohen me sa më shumë gjuhë të huaja. Natyrisht, shkalla e nivelit kulturor dhe arsimor të një kombi varet nga numri i institucioneve arsimore dhe kulturore, duke nisur qysh nga shkallët më të ulëta deri në nivelet më të larta. Për nivele të larta zhvillimi kombëtar, përcaktuese është përqindja e njerëzve të arsimuar dhe të pajisur me një kulturë të gjerë, kjo e bërë në krahasim me numrin e popullsisë dhe sidomos me parametrat e vendeve më të zhvilluara. Më pas, duhet analizuar sa është numri i intelektualëve të mirëfilltë, sa vlera reale japin njerëzit e shquar sipas profileve të kualifikimit në fusha të ndryshme të ekonomisë, arsim-kulturës, shkencës dhe drejtësisë. Si e plotësojnë ata boshllëkun e kulturës në shekuj apo dhe ndër vite?
Për shumë zyrtarë mjafton që të kenë një diplomë dhe i gjendet puna njeriut dhe jo t'i gjesh punës njeriun e aftë. Pastaj s'ka më nevojë, se për të flet kolltuku, pavarësisht se si e ka marrë atë copë kartoni. Rrugët i ka të hapura për zgjidhjen e problemeve të çdo lloji, rrogën e merr, "ligjin e zbaton", sepse flet "Maliqi" dhe jo ligji. Është për të ardhur keq se "Maliqi" nuk është në gjendje të përdorë as kompjuterin, as të formulojë një kërkesë zyrtare, kurse për sa i përket shkrimit duhen deshifrantë të gjuhëve të djallit apo prehistorike se, as ata nuk janë në gjendje ta lexojnë atë që vetë e kanë shkruar. Ndonjëri nga "Maliqët" (që janë të shumtë) e thotë si pa të keq se ai dokument nuk është i tij, por i kolegut që në atë çast nuk ndodhet aty apo është larguar nga puna prej kohësh.
Pa përgjithësuar, por është turp për ato shkolla apo institucione që japin dhe vlerësojnë dijet shkencore, si dhe shkallën e përvetësimit të tyre, duke lëshuar dëshmi dhe diploma pa hesap. Është vërtet për të ardhur keq që diplomimet bëhen fiktive dhe jo në bazë të njohurive të fituara, sepse i takon rëndom të paaftët, ata që nuk dinë të komunikojnë me njerëzit, që përdorin fjalorin e rrugëve apo të mesjetës. Ka shumë institucione arsimore-kulturore të rëndësishme, ku ndesh fjalorin e ashpër të krahinës nga kanë ardhur, sesa fjalorin qytetar. Për ta mjafton të përdorin me vend dhe pa vend ndonjë fjalë të huaj, së cilës nuk ia dinë as kuptimin, dhe ta heqin veten si "njerëz të ditur". Kjo ndodh sepse ka edhe nga ata që s'kanë kryer ende arsimin e shkollës së mesme dhe na dalin me universitet, profesorë, ekonomistë apo juristë etj. që kanë në dorë fatin e të rinjve apo të të gjithë komunitetit. Mjerë pronat e trashëguara prej të parëve tanë se ç'po heqin. Këta njerëz "të diplomuar, të specializuar, këta intelektualë të formuar profesionalisht" brenda apo jashtë atdheut, përbëjnë atë segment të shoqërisë, që është më i vlerësuari, më i spikaturi, tek i cili ka varur shpresën kmbi. Kjo është përditshmëria që shfaqet në institucionet e ulëta, të mesme dhe pse jo edhe në sferat e larta. Ata që e njohin mirë gjuhën amtare dhe nuk e përdorin, a nuk tkurren kur dëgjojnë maturinë dhe rrjedhshmërinë e kolegëve të tyre si: z. Patozi apo ballafaqimin profesional të z. Xhufi dhe të znj. E. Meksi?
Këtu nuk bëhet fjalë për mllefe politike, të majta, as të qendrës dhe as të djathta. Flitet për kulturën e kombit e cila është e paanshme. Arritjet e standardeve të një shteti pasqyrohen në institucionet ndërkombëtare përmes përfaqësuesve të fushave të ndryshme të politikës, ekonomisë, kulturës dhe arsimit në vendin tonë. Nëse niveli kulturor i përfaqësuesve tanë në botë nuk qëndron në nivele të barabarta me të atyre që ballafaqohen, por përcjell pak ose aspak qytetari, kjo është një minus i madh për imazhin tonë në botë. Atëherë përgatitja e këtyre njerëzve të kualifikuar që nesër do të na përfaqësojnë si komb, nis qysh nga familja, nga arsimi parashkollor, cikli i ulët i shkollës 9-vjeçare e derisa diplomohen dhe janë të gatshëm për të pranuar sfidat që iu ofron koha. Të nderojnë tek i dëgjon disa nga përfaqësuesit tanë diplomatikë, si ministri Basha apo ish-ministrja znj. Dade.
Është e pafalshme për një gazetar që përdor gjuhën shqipe jo të pastër dhe me huazime dhe aq më tepër për një politikan. Ka raste kur politikanët apo administratorët e të gjitha kategorive, mjafton ta përdorë një njeri me pushtet një term të huaj dhe të nesërmen në të gjitha kronikat e ndryshme të lajmeve dhe në çdo takim politik apo shoqëror, ky do të përdoret me vend dhe pa vend.
Po shkohet drejt humbjes së gjuhës shqipe për dy arsye: E para vjen nga mospërvetësimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe nga nxënësit dhe studentët dhe së dyti, emigracioni. Jo vetëm fëmijët e lindur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë që s'e njohin fare gjuhën amtare, por edhe prindërit e tyre kanë nisur ta harrojnë gjuhën e mëmës.
Sa çudi na duket dhe sa nxehemi kur dëgjojmë se shteti grek ka hapur shkolla greke në zonat minoritare dhe jominoritare. Përse nuk krijohen marrëveshje të ndërsjella mes shteteve që edhe në vendet ku kanë emigruar shqiptarë, të hapen shkolla shqipe? Një shembull që duhet të shërbejë si model, është shqiptari i mirë, Sejdulla Daja, hartues i fjalorit suedisht-shqip dhe shqip- suedisht. Prej vitesh jeton në Suedi, ku ka hapur shumë shkolla shqipe ku studiojnë 16 000 a më tepër fëmijë shqiptarë dhe 400 a më shumë mësues. Po të kujtojmë këtë, mendoj se çdo gjë mund të realizohet, kur është vullneti dhe dëshira e mirë. A nuk duket se ne jemi shumë më pak kërkues ndaj vetes, ndaj interesave tona kombëtare, siç është ruajtja, transmetimi dhe pasurimi i kulturës sonë, sesa ndaj të tjerëve?! Një shembull orientues janë arbëreshët e Italisë, të cilët po e studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe, edhe pse paraardhësit e tyre kanë 4-5 shekuj mërguar.
Për ne, masën e gjerë të komunitetit, njerëzit të cilëve u kemi dhënë votëbesimin, si politikanët, deputetët, ministrat, juristët, përfaqësuesit e pushtetit vendor i shohim në dritën e syrit. Fillimisht na bie në sy ajo që është e dukshme, si paraqitja e jashtme, si flasin dhe si komunikojnë, arsimimi i tyre, të cilat krijojnë përshtypjen e parë për personalitetin e tij. Ka shumë përfaqësues të elektoratit që dëgjohen me ëndje. Dëgjuesi pëlqen maturinë e fjalorit të zgjedhur dhe elastik të z. S. Godo apo të z. B. Leskaj. Së paku, kjo është dukuria që bie në sy. Më pas është koha ajo që vërteton premtimet elektorale. Edhe kundërshtari politik nuk flet keq për oratorinë, maturinë dhe estetikën e fjalorit të ministrit të Arsimit z. F. Beja apo ballafaqimi me një fjalor të pasur dhe pa mllefe si i znj. Përnaska. Unë jam më se e bindur që ka shumë parlamentarë apo qeveritarë që janë për t'u admiruar për kulturën që mbartin. Por unë do të ndalesha te kandidatët për krerë politikë apo për deputet, nëpunës të të gjitha kategorive. Një individ para se të vendosë për të qenë "Dikushi", duhet ta shohë veten me lente për t'u vetëvlerësuar se sa peshon ai si intelektual, si profesionist apo sa i kulturuar dhe sa estet është brenda dhe jashtë qenies së tij.
Që të jetë ose jo i suksesshëm një politikan apo administrator, qoftë edhe i një zone rurale, duhet të analizojë të gjitha cilësitë që mbart personi i tij, sa i formuar është dhe të pyesë: "Jam apo s'jam i aftë për ta kryer këtë mision?!" Mirëpo duke parë se "X" person u bë deputet, atëherë prej zilisë dhe egos për pushtet thotë: “Përse të mos bëhem edhe unë?!” Kjo e ka marrë më qafë Shqipërinë.
Jemi vonë. Zgjedhjet e 2009-ës po trokasin. Forcat politike po shpalosin programet e tyre. Ka ardhur koha që të zgjedhim më të mirët, jo për militantizëm (sepse ata që kanë dhënë shpirtin për politikën, janë lënë në harresë), por për njerëz të formuar, me intelekt, profesionalizëm dhe kulturë. Një kandidat për deputet, apo për zyrtar të lartë, së pari duhet të njohë veten, pastaj ata që propozojnë apo japin votëbesimin, duhet ta njohin mirë njeriun që do t'i përfaqësojë.
Njerëzit e së ardhmes, ata që do të udhëheqin së paku për një legjislaturë, sepse dihet që kur ulen në karrige, harrojnë ta lëshojnë atë, në mos aty diku tjetër me lëvizje paralele, më sipër a më poshtë, por për vite njerëzit ndeshin të njëjtat fytyra. Si të tillë, duhet të plotësojnë disa kritere para se ta zënë vendin e lakmuar. Kjo të bëhet me testim.
* Duhet ta njohin dhe përvetësojnë mirë gjuhën shqipe në bazë të drejtshkrimit.
* Duhet të komunikojnë në mënyrë të kulturuar dhe duhet të flasin me një gjuhë të rrjedhshme letrare, ndaj kanë nevojë, jo vetëm të marrin mësime oratorie dhe estetike, por të jenë oratorë dhe estetë. Si të tillë, gjuhën shqipe dhe këto dy shkenca duhet t'i zotërojnë si pjesë të qenies trupore dhe mendore të tyre.
* Të njohin historinë dhe gjeografinë e vendit dhe në mënyrë të veçantë burimet, mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe nevojat e zonës ku ata kandidojnë.
* Duhet të jenë të përgjegjshëm për çdo fjalë që nxjerrin nga goja, sepse nëpërkëmbet personaliteti i tyre, i forcës politike që përfaqësojnë dhe i shtetit.
* Mendoj se vendi ynë nuk besoj të ketë krizë përfaqësimi. Mbështetja tek njerëzit e kulturës së mirëfilltë është tejet i rëndësishëm. Arti dhe letërsia, të cilat vënë në dukje dukuritë sociale, besoj se janë oponenca më e mirë e kombit. Një komb i kulturuar hyn më shpejt në organizmat ndërkombëtarë, sepse bëhet faktor i padiskutueshëm.