E Shtunë, 31 Tetor 2026

KURUM ben shkurtime. 400 metalurge ne greve

Moszbatimi i kontratës kolektive, shkurtimi nga puna i 70 metalurgëve si dhe diferencimi i madh i pagave ndërmjet punëtorëve turq me ata shqiptarë për të njëjtin vend pune kanë bërë që 400 metalurgë në Elbasan të zhvillojnë një grevë njëorëshe duke paralajmëruar vazhdimin e saj pa afat në ditët e ardhshme.

Drejtuesit e “Kurum” kanë paralajmëruar se do të shkurtohen rreth 70 metalurgë duke e motivuar këtë me mungesën e tregut të shitjes, ndërkohë që sipas metalurgëve është dhjetëfishuar prodhimi i çelikut në furrat e shkrirjes.

”Duke parë problemet akute që na kanë dalë në prag të lidhjes së kontratës së re aleate të punës ku kompania ka vendosur të shkurtojë 70 veta nga uzina e çelikut I bëjmë thirrje edhe një herë kompanisë të heqë dorë nga shkurtimet në mënyrë abusive dhe selective” thotë Tafë Koleci, president i Federatës Kimi- Metalurgji.

“12 vjet kjo firmë vetëm na thotë që jemi me humbje. Nëse më përpara kanë bërë 50 ton çelik tani bën 1500 ton çelik në 24 orë. Përpara kanë qenë 12 metalurgë, sot janë vetëm 2 metalurgë dhe nga dita në ditë fillon e shkurton gjithë metalurgët, gjithë punëtorët e uzinës së çelikut” thotë Fadil Kamami, kryetar i Sindikatës së Çelikut.

Sindikalistët kanë hartuar një peticion me kerkesat kryesore të tyre për kontratën dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Besim Dybeli                        

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›