E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUSH MUND T‘I FITOJE KETO ZGJEDHJE?

Filloi zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri dhe shqiptarët do të bëhen gati të dëgjojnë e të shohin premtime e kritika, probleme e zgjidhje, akuza dhe kundërakuza... Shkurt, tani shqiptarët do të përfshihen qoftë si aktorë, por më së shumti si spektatorë, në një shfaqje të madhe, në fund të së cilës ne do të marrim vesh se nga cila forcë politike do të drejtohemi në katër vitet e ardhshme.

Pas 18 vjetësh, më në fund ne do të kuptojmë a do të jemi në gjendje të ndahemi me tranzicionin e tejzgjatur apo jo, do të shohim nëse demokracia ka mbërritur edhe në Shqipëri, apo do të na duhet që të presim e të vonohemi ende, siç edhe kemi bërë në gjithë këto vite. Të shohim. Ajo që dihet dhe ajo që ne vështrojmë, janë përplasjet e natyrshme politike dhe lufta herë e ashpër dhe herë banale që bëhet sidomos mes dy forcave kryesore politike.

Po kush mund t‘i fitojë këto zgjedhje? Natyrisht këtë do ta mësojmë pas 28 qershorit, por ajo që dimë deri tani është se çfarë nuk duhet të ndodhë pas 28 qershorit, me një fjalë, kush nuk duhet t‘i fitojë këto zgjedhje. Kur flitet për demokracinë, zakonisht vende si Shqipëria, për analistët evropianë, janë gjithmonë një mister, një problem me njëqind e një të papritura. Të mësuar që të na quajnë të përkohshëm ose në tranzicion, ata e kanë të vështirë të kuptojnë se ç‘ndodh në vende si ky i yni. Në më të shumtën e rasteve, për të na karakterizuar sa më mirë, të tjerët, ata që janë në Evropë e që drejtojnë institucionet euroatlantike, kur merren me ne thonë pra se ne jemi popull në tranzicion, apo thënë shqip, të papjekur, thënë akoma më shqip axhami, thënë akoma më shkoqur, të pagdhendur, e thënë akoma më trashë, të leshtë.

Pse? Sepse ne nuk dimë dhe nuk duam të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme, pra nuk dimë dhe nuk duam që të ndrydhim pasionet tona të mbrapshta dhe të pranojmë të qeverisemi me anë të votës, pra të pranojmë të delegojmë fuqinë dhe pushtetin tonë në mënyrë të drejtë korrekte e të ndershme. Ne kemi sot për Kryeministër njeriun-karikaturë, i cili nga mëngjesi deri në darkë e ka mendjen si e si ta deformojë këtë normë demokratike. Ai, me ngërdheshjen prej njeriu gjysmak, sa herë shqipton fjalën demokraci apo zgjedhje, mendon si të vjedhë votat, në mënyrë që të mbetet në sy të shqiptarëve edhe për disa vjet, që Shqipëria të damkoset përfundimisht si një vend e një popull që nuk bëhet. Ky Kryeministër, pra, është gjasa e parë pse zgjedhjet më 28 qershor nuk do të kenë fitues, por do të kenë vetëm të humbur.

Sot shqiptarët nuk e dinë se përse duhet të votojnë. Nuk e dinë, sepse propaganda qeveritare ua ka ngatërruar atyre kohët. Mjaft të rrish një ditë me veshët hapur dhe me sytë nga disa televizione dhe do të kuptosh se nuk jeton në një shtet të lirë e demokratik, por në një komunë të humbur me popullsi ujgure, ku imami ulëret nga mëngjesi në darkë për të mirat që na ka sjellë ai dhe qeveria e tij. Nuk kalon dot në bulevardin e madh, se do ta ndjesh veten si në një repart ushtarak, ku ushtarët i marrin në rresht çdo pasdite dhe i çojnë në dhomën e formave të edukimit, që të shohin fotografitë nga ndërtimi i kombinatit të madh metalurgjik, "Çeliku i Partisë". Këtë përshtypje të krijon stenda me fotografi para Parlamentit për rrugën e Veriut.

Shqiptarët, deri tani nuk kanë parë dhe nuk kanë lexuar asnjë program të qartë të partisë në pushtet, që kërkon të qëndrojë ende në qeverisje. Ata shohin përnatë në televizor se si ulëret Kryeministri i tyre dhe se si përmend si në jerm fjalë e slogane pa asnjë kuptim. Ndërkaq, kur ti mendon se përse duhet të votosh për këtë qeveri, nis e bën disa pyetje: Pas katër vjetësh, unë po jetoj më mirë, apo më keq? Pas katër vjetësh, unë po jetoj në një shtet demokratik, apo në një komunë ujgurësh? Pas katër vjetësh, hajdutët, kriminelët, batakçinjtë, mediokrit, llumi, sharlatanët janë larguar nga jeta publike, apo janë bërë më të pranishëm? Pas katër vjetësh, ti ke të drejtë të pyesësh: modeli i politikanit dhe i qeveritarit është përmirësuar, apo është dreqosur më keq?

T‘i shohim me radhë.

Pas katër vjetësh, shqiptarët janë më të varfër e më të fyer, sepse qeveria e tyre nuk i pyeti se çfarë duhet të bënte me paratë e tyre, por për të kënaqur epshet e pushtetit i hodhi ato në investime të nxituara, abuzive dhe të dyshimta. Pas katër vjetësh, unë nuk jetoj në një shtet demokratik, por në një pseudo-shtet, ku ligjin e bën bajraktari, i pari i fisit dhe klienti i radhës që i përulet Kryeministrit. Institucionet demokratike janë rrëgjuar dhe Televizioni Publik, Akademia e Shkencave, mediat dhe në përgjithësi mjedisi kulturor në këtë vend janë shuar. Ato janë zëvendësuar me qendra zëri të neveritshme, që i lëpijnë dorën shefit të qeverisë. Në to, dallkaukllëku dhe mediokriteti janë atribute dhe monedha të domosdoshme këmbimi me pjesën tjetër të sharlatanëve që gjendet në qeveri. Pas katër vjetësh, hajdutëria u bë një art dhe të vjedhësh pasurinë publike, të bëhesh i pasur me lekët tona, kjo u bë një maksimë.

Shembullin e parë e dha vetë Kryeministri ynë, kur angazhoi djalin, vajzën, mbesën e gjithë fisin që të vjedhin me çdo çmim, që të bëhen të pasur. Kulmi arriti me 26 të vdekurit e Gërdecit dhe kulmi tjetër ishte rënia përfundimisht e përrallës së njeriut të ndershëm. Kryeministri ynë dëshmoi se është njeri i pabesë, se nuk njeh asnjë skrupull moral, se për hir të pushtetit ai vë në zbatim stilin e politikanit mafioz, thelbi i të cilit nuk është transparenca e vendimeve, por taktika ‘bli e shit‘, nuk është morali demokratik, por amoraliteti i thikës prapa shpine dhe aleanca me djallin. Dhe e gjithë kjo, sipas këtij tipi politikani, duhet të shitet si përvojë politike, si stof politikani. Pas katër vjetësh dhe pas tetëmbëdhjetë vjetësh tranzicion, modeli i shtetarit është përdhosur dhe është bërë i neveritshëm. Të gjitha edhe mund të rregullohen me një qeveri tjetër, ndërsa krimi shtetëror i kryer mbi shkollën shqiptare, duke e kthyer atë nga shkollë që jep dije në autoshkollë që jep diploma me pagesë, do të kujtohet për një kohë të gjatë si një nga marrëzitë më të mëdha të kësaj qeverie. Për këto arsye, dhe për shumë të tjera, më 28 qershor nuk do të fitojë kjo qeveri dhe ky Kryeministër, për këto arsye dhe për shumë të tjera Sali Berisha nuk e mund dot Edi Ramën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›