E Shtunë, 31 Tetor 2026

KVV Berishës e Ramës: Gjeni konsensus për KQZ, e pamoralshme ta përdorni elektoralisht

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i është drejtuar me një letër të hapur dy liderve të partive kryesore në vend. Nëpërmjet kësaj letre Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) i shqetësuar në lidhje ecurinë e mëtejshme të procesit zgjedhor, premisave për përmbushjen e standarteve dhe të besimit të shtetasve në të, sjell në vëmendjen të dy liderëve gjithë problematikën që shoqëroi dhe solli në ngrëcin e krijuar në KQZ duke argumentuar dhe dhënë komentet përkatëse në lidhje me legjitimitetin apo politizimin e tyre.

Koalicioni e konsideron të pakuptimtë mungesën e deritanishëm të vullnetit për ta zgjidhur këtë ngërç, madje është i pamoralshëm përdorimi i tij për përfitime elektorale apo kredite politike qoftë tek faktorët ndërkombëtarë, qoftë tek militantët apo aktivistët tuaj, apo, qoftë edhe përdorimi i tij i mundshëm si shkak për të justifikuar fitoren apo humbjen pas 23 qershoritshprehet KVV.

Ndër të tjera KVV thekson se konstaton me keqardhje se Kodi Zgjedhor i ndërtuar dhe i miratuar nga dy partitë që Ju drejtoni është një Kod i cili varet kryekeput në çdo hallkë të tij nga vullneti politik, duke vënë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit ligjor aq shumë të përmendur në programet tuaja politike.

Në përfundim të Letrës Koalicioni i drejtohet dy liderëve:

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit kurajon dhe vizionin tuaj për të kapërcyer interesat e ngushta partiake dhe ngërçet e panevojshme, duke u orientuar drejt interesit afatgjatë në të mirë të të gjithë shqiptarëve për ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve të konsoliduara e të pavarura, në funksion të interesave dhe të të drejtave të qytetareve. Koalicioni ju fton të gjeni kurajën dhe vullnetin e duhur duke sjellë frymën e bashkëpunimit dhe të vlerësimit reciprok, duke e futur ecurinë e mëtejshme të procesit zgjedhor në shtratin e duhur ligjor si dhe duke nxitur më tej një fushatë të qetë, të qytetëruar si dhe të orientuar drejt përballjes së platformave programore dhe çështjeve konkrete në interes të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›