E Diel, 1 Nëntor 2026

KZAP-i ua ndalon zgjedhjen 9 vetave dhe gjobit partitë politike

Prishtinë, 27 gusht – Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ua ka ndaluar nëntë kandidatëve potencialë pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky organ ka publikuar të enjten raportin e parë vjetor, që përthekon në vete periudhën kohore nga tetori i vitit të kaluar – 2009  e deri në gusht të këtij viti. Pos që ua ka ndaluar nëntë vetave pjesëmarrjen në zgjedhje, brenda kësaj periudhe KZAP-i ka bërë edhe nëntëdhjetë dorëzime të rasteve në Prokurori të shtetit dhe u ka shqiptuar dyqind e njëzet mijë euro gjobë njëzet e tetë partive politike.
Në bazë të raportit të KZAP-it, për procesin zgjedhor 2009, ky organ ka mbajtur gjithsej njëzet e nëntë seanca për 550 ankesa. Llojet e ankesave dhe të parashtresave të pranuara nga KZAP-i kanë qenë Kodi i Mirësjelljes, raporti i deklarimit të fushatës financiare, kërcënimi, parregullsitë gjatë procesit të votimit, mospërputhjet gjatë numërimit dhe shpërndarjet e gabueshme të vendeve në asambletë komunale. Nga gjithsej tridhjetë e gjashtë komuna, KZAP-i ka pranuar ankesa nga njëzet e katër komuna. Janë deponuar ankesa nga Gjilani, Graçanica, Gllogovci, Hani i Elezit, Istogu, Kamenica, Kaçaniku, Klina, Lipjani, Malisheva, Mitrovica, Obiliqi, Parteshi, Peja, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Rahoveci, Shtimja, Shtërpca, Skënderaj, Suhareka, Vitia dhe Vushtrria. “Kampione” për ankesa nga të gjitha komunat është Prishtina më gjithsej gjashtëdhjetë e tetë, kurse në fund të “tabelës” gjendet ajo e Gllogovcit me veç dy ankesa. 
Për pasojë të trajtimit të rasteve nga KZAP-i, të drejtën për të garuar në zgjedhjet e ardhshme e kanë humbur nëntë kandidatë të mundshëm nga subjekte të ndryshme politike. “Qerim Gara nga BDA-ja për dy vjet, Bekim Gara nga BDA-ja për dy vjet, Bajram Gashi nga PDK-ja për katër vjet, Avni Gashi nga PDK-ja për gjashtë vjet, Xhelal Krasniqi nga LDK-ja për katër vjet, Valon Dalipi për dy vjet, Jakup Sfarça nga LDK-ja për gjashtë vjet, Jeton Sfarça nga LDK-ja për tre vjet, dhe Shaban Sfarça nga LDK-ja për gjashtë vjet”, ka shkruar KZAP-i në raportin e tij.       
Në Prokurorinë e shtetit organi për ankesa dhe parashtresa i ka dorëzuar nëntëdhjetë raste, të cilat kanë të bëjnë me rastet e përgjegjësive individuale gjatë procesit zgjedhor që janë të ndëshkueshme me Kodin Penal të Kosovës.
“KZAP-i për shkak të dyshimeve të bazuara i ka dorëzuar ato në Prokurorinë e shtetit. është në kompetencë të Prokurorisë së shtetit procedimi i këtyre rasteve më tutje. KZAP-i nuk ka informata kthyese se në çfarë faze të procedurës janë këto raste për arsye se Prokuroria e shtetit nuk ka përgjegjësi për ta informuar”, është shkruar në raport.  
KZAP-i ka nxjerrë në shesh se brenda juridiksionit të tij ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë rreth 214 mijë e 970 euro, ku vetëm 151 mijë e 140 euro janë shlyer, për të mbetur edhe 63 mijë e 830 euro. “Vetëm katër subjekte politike të dënuara nga gjithsej njëzet e tetë e kanë shlyer borxhin: AAK-ja 12 mijë e 720 euro, AKR-ja 21 mijë e 600 euro, LDD-ja 9 mijë e 500 euro dhe IRDK-ja 3 mijë e 200 euro”, mund të lexohet në raport. Më së shumti borxh ka mbetur PDK-ja me 20 mijë e 500 euro nga shuma e përgjithshme e ndëshkimit 90 mijë e 420 euro. Më pak borxh se PDK-ja kanë mbetur: LDK-ja me 14 mijë e 700 euro, RRKPZ-ja me 4 mijë e 800 euro, PLK-ja me 4 mijë e 800 euro, ADK-ja me 3 mijë e 200 euro, PDKI-ja me 3 mijë e 200 euro, SDP-ja me 3 mijë e 200 euro, BUK-u me 1 mijë e 500 euro, DRK-ja me 1 mijë e 500 euro, PRSH-ja me 1 mijë e 500 euro, PSD-ja me 530 euro, ZBB-ja me 500 euro, ZEG-u me 500 euro, GIO-ja me 500 euro, IQK-ja me 500 euro, JSŽ-ja me 500 euro, Sakip Makasqi me 300, Bajram Islami me 200 euro, Sabahudin çirkoviq me 200 euro, Mexhit Foniqi me 200 euro, Nevzat Hydaverdi me 200 euro, Adem Haxhi Gashi me 200 euro, Naim Mustafa me 200 euro, Hasan Bilalli me 200 euro dhe Ahmet Krasniqi me 200 euro.
KZAP-i është themeluar në vitin 2000, porse asokohe ka ekzistuar në kuadër të UNMIK-ut. Tek kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008, ai është konstituuar si organ i pavarur dhe vendor. Funksioni i tij është të vendosë në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Nga 5 korriku i këtij viti kryesues i KZAP-it është Shukri Sylejmani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›