E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Burg për jetë" vrasësit të policëve, Hasanaj

TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, vendosi të lërë në fuqi vendimin e dënimit me "burgim të përjetshëm" ndaj të pandehurit Afrim Hasanaj, i cili 24 marsin e vitit të kaluar, vrau dy punonjësit e Policisë së Kukësit, Shkëlzen Dobrushi e Ramazan Hila në fshatin Shënmri.

Një treshe gjykuese Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi shqyrtoi ankimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij ligjor, vendosi rrëzimin e pretendimeve të këtyre të fundit duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet më 12 dhjetor të vitit 2009.

Sipas këtij vendimi, kërkesa e të pandehurit Hasanaj për gjykimin e çështjes në aplikim të procedurave të shkurtuar ka qenë i pabazuar në ligj dhe nuk mund të përfitonte nga kjo mundësi që i jep ligji.

Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se vendimi i dhënë më 12 dhjetor 2009 është i drejtë dhe i pandehuri duhet të vuajë dënimin me "burgim të përjetshëm" për vrasjen e dyfishtë të policëve.

Kjo vrasje, sipas gjykatës, është kryer për shkak të detyrës së dy efektivëve të policisë, të cilët një javë më parë se të ndodhte ngjarja, ishin konfliktuar fizikisht me të pandehurin Hasanaj.

Kjo përplasje ishte denoncuar në prokurorinë e Kukësit për akuzat e "shkatërrimit të pronës" dhe "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë" prej dy të vrarëve.

Pas administrimit të këtij denoncimi, policia e Kukësit e shpalli në kërkim Hasanajn. Ai mundi t'i fshihet policisë për rreth një javë deri në kohën kur u shfaq në Shënmri me një "Kallashnikov" në dorë në kërkim të Hilës e Dobrushës.

Pasi i gjeti në një lokal afër Postës së Policisë, qëlloi drejt tyre duke i lënë të vdekur. Në ikje e sipër qëlloi edhe mbi autoveturën e bllokuar, ku paraditen e 16 marsit ndodhej me shokët e tij pas konfliktit me policët. Vrasja, sipas vendimit është kryer pasi dy policët Hila e Dobrusha nuk kishin pranuar të tërheqin kallëzimin ndaj Hasanit i depozituar në prokurori një javë para ngjarjes.

Pas krimit të Rëndë Në drejtim të Kukësit u nisën krerë të Policisë dhe efektivë të forcave speciale të RENEA-s dhe FNSH-së. Më tepër se 24 orë pas vrasjes, autori i dyshuar i krimit tashmë i dënuar me vendim të formës së prerë u dorëzua bashkë me armën e krimit, duke pranuar autorësinë e ngjarjes.

****************

Familja
"Isa Tafaj kishte vetëm probleme shëndetësore"

TIRANË- Një ditë pas djegies aksidentale të të moshuarit në Tiranë, që ishte i paralizuar, fqinjët e tij pohojnë se ai nuk ka pasur probleme të tjera përveç atyre shëndetësore. Sipas fqinjëve të Isa Tafajt, ky i fundit ishte i paralizuar dhe vuante prej disa vitesh nga diabeti dhe kjo sëmundje kohët e fundit e kishte shqetësuar më shumë.

"Unë e kam pasur fqinjin më të afërm Isain dhe ai kishte vetëm probleme shëndetësore dhe nuk na ka thënë ndonjëherë që të kishte ndonjë problem tjetër dhe prandaj jam i bindur që ai ka vdekur në mënyrë aksidentale nga pamundësia për t'u larguar nga flakët"- shprehet një fqinj i familjes Tafaj, banor i rrugës "Tahsim Shehu".

Ndërkohë edhe grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje arriti në përfundimin se vdekja e të moshuarit ka qenë aksidentale dhe 65 vjeçari nuk është vetëdjegur. Isa Tafaj, 65 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, në rrugën "Tahsim Shehu" u gjet i djegur nga të afërmit e tij të premten rreth orës 17 e 30 minuta.

Sipas policisë i moshuari është djegur nga flakët që janë shkaktuar nga ndezja e një rezistence elektrike në banesën e viktimës. Në pamundësi për të lëvizur, ai është djegur plotësisht, duke ndërruar jetë. Mësohet se trupi i viktimës ka pësuar djegie të shkallës së rëndë në të gjithë pjesët e trupit dhe për pasojë ka ndërruar jetë para se të gjendej nga familjarët e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›