E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stopohet transferimi i Behramit

Nga Express më 11 janar 2011 në ora 12:51

West Ham United e ka refuzuar ofertën e parë të Fiorentinës për Valon Behramin, njofton uebfaqja angleze skysports.com. Përfaqësuesi zviceran shihej pranë transferimit në klubin Viola, por gjërat kanë ndryshuar për një moment.

Behrami, i transferuar në West Ham në vitin 2008 nga Lazio, nuk e ka shfaqur atë që është pritur nga ai në Londër. Tash, 25-vjeçari dëshiron të kthehet në futbollin italian, ku e kaloi pjesën më të madhe të karrierës.

Futbollisti kosovar kishte arritur marrëveshje me Fiorentinën, por ajo që është më e rëndësishmja, mungon akordi në mes të klubeve. Ekipi nga Firenze e kishte paraqitur ofertën e vet te ‘Hammers’ në fillim të javës së kaluar, duke e pritur përgjigjen në fundjavë. Mirëpo, fatkeqësisht ajo ishte negative.

Sipas skysports.com, transferimi nuk ka dështuar totalisht, por mbetet të shihet se sa do ta rrisë ofertën Fiorentina, në tentimin e saj të dytë, ose nëse do të lëshojë pe West Hami. Mediat italiane shkruajnë se oferta e Fiorentinës sillej rreth 4 milionë euro, por West Ham kërkon 6-7 milionë për futbollistin kosovar. Përpos ekipit Viola, Behrami kërkohet edhe nga Roma.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›