Kabineti, LSI kërkon tre ministri
Sektori i Shëndetësisë, Arsimi dhe Ekonomia, janë tre ministritë që kërkon të drejtojë LSI-ja
Kreu i KDK-së së LSI-së ka bërë të ditura dje ambiciet e kësaj force për nivelin përfaqësimit në qeveri
Lëvizja Socialiste për Integrim, më së fundi ka bërë të ditura portofolet që synon të marrë apo drejtojë në ekzekutivin e ardhshëm që pritet të formohet në muajin shtator. Megjithëse pranon se ende nuk një datë të caktuar për zhvillimin e negociatave zyrtare, kjo forcë politike ka bërë të ditur dje me anë të kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, se Shëndetësia, Arsimi dhe Ekonomia mbeten tre sektorët kryesorë ku kjo forcë ka "hedhur sytë".
Deklarata
Gjatë një prononcimi për mediat, i shpërndarë nga zyra e shtypit e kësaj force, kreu i KDK-së, Edmond Haxhinasto, megjithëse ka mohuar zhvillimin e negociatave zyrtare me Partinë Demokratike lidhur me arritjen e një marrëveshjeje konkrete bashkëpunimi qeverisjeje, ka prezantuar, deri diku, edhe për aleatët e saj të rinj, me të cilët do të bashkëqeverisë, ambiciet lidhur me portofolet që kjo forcë kërkon të marrë në qeverinë e re. E natyrisht, për t'iu përmbajtur edhe filozofisë me të cilën justifikoi këtë bashkëpunim me demokratët, LSI-ja vijon të këmbëngulë se baza e kësaj bashkëqeverisjeje do të jetë programi dhe më pas portofolet qeveritare.
"Nuk ka akoma një datë, por sigurisht që negociatat do zhvillohen. Besoj se ka kohë të mjaftueshme, duke pasur parasysh se dhe afatet kushtetuese na e lejojnë këtë gjë. Gjithë kjo kohë do të përdoret në mënyrë efikase për të bërë negociatat përkatëse, dhe për të arritur ato objektiva politike dhe atë program të përbashkët që ne dëshirojmë të realizojmë", - tha Haxhinasto. Duke iu përmbajtur kësaj fryme parimore, ai nuk ka nguruar të bëjë publike dhe fushat, Shëndetësinë, Arsimin dhe Ekonominë, ku LSI-ja kërkon të kontribuojë më shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke lënë të kuptohet qartë se për to do të kërkojë të drejtojë dhe dikasteret përkatëse. "Prioriteti kryesor që ne do të parashtrojmë në tryezën e negociatave, sigurisht është i lidhur me ato prioritete që ne kemi paraqitur politikisht gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, ku konsistojnë në çështjet e zhvillimit me ritme më të shpejta të vendit, zhvillimin e sektorëve të caktuar, sikurse është zhvillimi ekonomik, çështjet që kanë të bëjnë me papunësinë, gjithashtu një pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, sikurse është Shëndetësia dhe Arsimi", - tha Haxhinasto.
Gjithashtu, si një alternativë, në rast se nuk do të pranohet qoftë edhe një nga këto tre sektorë, pritet të jetë edhe ajo e Punëve Sociale. "Gjithashtu, një prioritet tjetër konsiston dhe në paketën për përkujdesjen sociale, ku sikurse dihet, tashmë ne kemi hartuar dhe një pr/ligj për "Moshën e Tretë", dhe në mënyrë të veçantë dua të theksoj se LSI-ja ka përgatitur një paketë të posaçme për t'i ardhur në ndihmë të gjithë asaj kategorie të shoqërisë sonë që përfitojnë nga "përkrahja sociale", - u shpreh më tej Haxhinasto.
Demokratët
Por ndërkohë, nga ana tjetër, duket se demokratët s'janë shumë të predispozuar për të plotësuar këto kërkesa të aleatëve të tyre të rinj, për arsye se dy prej këtyre ministrive, siç është ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë, janë dikastere që krijojnë mundësi për vende të mëdha punësimi për militantët partiakë. Për këtë arsye, siç bëhet e ditur nga burime pranë PD-së, ata janë të gatshëm t'i lënë LSI-së vetëm dy 2 portofole ministrore.
Ajo që mësohet deri më tani është se demokratët mund t'i lëshojnë LSI-së vetëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Integrimit. Ndërsa në përgjithësi, situata për postet e tjera është ende e paqartë, me përjashtim të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Financave, ku duket se do të rikonfirmohen dy drejtuesit aktualë, Basha dhe Bode. Për pasojë, ndryshime në drejtim pritet të pësojnë Ministria e Mbrojtjes, ku flitet të vijë Genc Pollo ose Ferdinant Xhaferi. Gjithashtu, lëvizje do të ketë dikasteri blu, ku Nishani pritet t'ia lërë vendin Ilir Rusmajlit ose Astrit Patozit.
Në listën e ministrive që do t'i nënshtrohen reformimit në drejtim, janë përfshirë dhe ajo e Arsimit, Punës dhe Çështjeve Sociale, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë, Kulturës dhe e Bujqësisë. Negociatat i vështirëson shumë fakti se kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar që të mos shtojë portofolet në kabinetin e tij, megjithëse në fillim, për t'i plotësuar nevojat LSI-së, u fol për një ndarje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës në dy ministri. Përveç LSI-së, Berisha duket se është vënë në vështirësi edhe për shkak të kërkesave të larta që kanë dy aleatet e tjera, PR-ja dhe PDI-ja, të cilat pavarësisht se përfaqësohen në Kuvend vetëm me nga një deputet, kërkojnë të drejtojnë nga një ministri.