E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabineti i Nikoliqit e konfirmon takimin me Jahjagën

Pas deklaratës së këshilltarit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Ramush Tahiri për mundësinë e takimit të saj me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq, gjatë shkurtit, edhe në kabinetin e Nikoliqit e konfirmojnë një mundësi të tillë.

Bashkëpunëtorët e presidentit serb i kanë deklaruar gazetës “Blic” të Beogradit se takimi i parë ndërmjet Nikoliqit dhe Jahjagës do të mbahet me siguri kah fundi i shkurtit, ose në fillim të marsit.

“Ne kemi shprehur gatishmërinë të mbahet takimi. Po e presim konfirmimin e tyre. Pasi presidenti ka shumë obligime dhe një varg vizitash të caktuara në periudhën e ardhshme, më reale është që takimi të ndodh kah fundi i janarit”, kanë theksuar në kabinetin e Nikoliqit, transmeton RTK.

Mirëpo, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin ka thënë sot në Bruksel, sipas mediave të Beogradit, se është dëm që presidenti i Serbisë, Nikoliq ka refuzuar iniciativën e kolegut të vet malazias, Filip Vujanoviq për të ndërmjetësuar në takimin e Nikoliqit me Atifete Jahjagën.

“Fatkeqësisht Nikoliq nuk e ka pranuar iniciativën që të organizohet takimi i kryetarit të Kosovës dhe të Serbisë në Mal të Zi”, ka thënë Kacin. Ai citohet të ketë vlerësuar se një takim i tillë duhet të mbahet sa më shpejtë për shkak të së ardhmes evropiane, të Serbisë, Kosovës dhe të mbarë rajonit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›