E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabineti i Obamës: Nise me Al Gore!

Nëse ekziston një emërtim i vetëm, që Barak Obama mund ta bënte për të sinjalizuar se sa dramatikisht do të ndryshojnë gjërat në Uashington, do të ishte të emërtonte Albert Gore Jr., i cili ka qenë ish-anëtar i Kongresit, ish-senator, ish-nënkryetar, ish-kandidat presidencial dhe kujdestari i tanishëm i planetit. Për të gjithë të tjerët, të cilët kanë aspirata për këtë punë, më vjen keq: Është një e vërtetë e papërshtatshme. A mund të imagjinoni një deklarim më të guximshëm për një drejtim të ri kur është çështja për ngrohjen globale dhe për përkujdesjen e përgjithshme të planetit tonë të abuzuar?

Gore ka fituar çmimin "Nobel" për punën e tij në këtë fushë (dhe një "Oskar" si shqelm) dhe përcaktimi i tij do të sinjalizonte një ndryshim dramatik nga indiferenca e epokës së Bushit me shpërfilljen e tyre të Traktatit të Kiotos. Me një lëvizje, SHBA do të shfaqej si udhëheqëse e shteteve, në përpjekjen për të shpëtuar planetin nga vetë ne dhe do të mund të përgatitej për pasojat e një bote të ndryshuar. Prioriteti urgjent i Presidentit të ri duhet të jetë ekonomia. Ai nuk ka zgjidhje tjetër. Por, duke pasur parasysh që Obama nuk ka aq ekspertizë në punët e jashtme, ai ka nevojë për një sekretar Shteti, i cili mund të udhëheqë marrëdhëniet e jashtme të kombit, ndërsa përqendrimi i Shtëpisë së Bardhë është kryesisht i drejtuar gjetkë.

Edhe të tjerët janë në gjendje ta kryejnë punën, përfshirë natyrisht senatorin Xhon Kerri, i cili po përmendet. Por, Gore ka shumë përvojë. Ai kishte të drejtë për luftën e Gjirit Persik (ku votoi pro) dhe kishte të drejtë për luftën e Irakut (ku si Obama e kundërshtoi që nga fillimi). Duke lëvizur nga kabineti, zgjedhja ime e ardhshme është Laurens Sumers për sekretar Thesari. Ai dikur e ka pasur këtë post dhe që atëherë ka qenë President i Harvardit, ku pas një linçimi akademik, u detyrua të japë dorëheqjen. Sumers ka intelektin dhe madhështinë për këtë punë. Ai është liberal, por jo sa të alarmonte tregjet. Përcaktimi i tij për detyrë do të tregonte se Obama ka kurajën të kundërshtojë disa nga grupet më të tërbuara të interesit në Partinë Demokratike, në këtë rast feministët, të cilët nuk do t‘ia falin Sumersit se ka qenë intelektualist kureshtar, për atë se pse femrat nuk kanë rezultate aq të mira sa meshkujt nëpër nivelet më të larta të matematikës. Sumers mund të jetë një i ngathët i jashtëzakonshëm social, por një rënie e madhe ekonomike nuk është festë çaji. Ai i ka aleatët.

Natyrisht, posti tjetër më i rëndësishëm i kabinetit do të ishte mbrojtja. Por, afër Gorit si sekretar, asgjë nuk do ta tregonte më shumë shkëputjen e administratës së Obamës nga e kaluara se futja e sekretarit të Edukimit brenda në kabinet. Zgjedhja ime: Xhoel Klein, kancelari i shkollave të Nju Jorkut. Shumica e njerëzve vajtojnë tërë atë energji që nuk po nxirret nga shpimet në det dhe në Strehën Kombëtare Arktike. Por, shumë më pak njerëz brengosen kaq shumë për fuqinë e mendjes, e cila nuk po shfrytëzohet në këtë shtet, si rezultat i një sistemi edukimi që është i keq në mënyrë të pafalshme. Klein do ta ndryshonte këtë gjë, mes të tjerash duke ndryshuar mënyrën se si mësuesit kompensohen. Mësuesit e mirë do të fitonin më shumë se mësuesit mesatarë dhe ata që duan të japin mësim në shkollat më të këqija, më të vështira e më të rënda do të paguheshin më shumë se të gjithë të tjerët. Unionet e mësuesve, edhe një grup interesi i Partisë Demokratike, e urrejnë pagesën sipas meritës, ndaj kjo është edhe një mundësi për Obamën që të dëshmojë guximin e tij. Synimi është të ndryshohet situata e tanishme, ku shumica e mësuesve rekrutohen nga çereku më i ulët i klasave të kolegjit dhe në vend të kësaj të shkohet te çereku më i lartë, ashtu siç bëjnë Finlanda dhe Koreja Jugore, dy shtete me sisteme të shkëlqyera edukimi. Është koment i pikëllueshëm për shkollat tona, kur Obama duhet me siguri t‘i dërgojë vajzat e tij në shkolla private në Uashington. Gjithashtu, është tejet pikëllues fakti që aq shumë fëmijë kalojnë nëpër shkollë dhe shkojnë drejt e në burg, shpesh duke e lënë një viktimë rrugës. Është mirë që besimi i Kleinit se edukimi publik mund të shpëtohet është aq i thellë saqë ai e la një punë të paguar shumë mirë në industrinë private, që të punojë në sistemin e madh të shkollave të Nju Jorkut.

Kjo është vetëm lista ime e shkurtër. Nuk kam përmendur disa njerëz të jashtëzakonshëm, Riçard Hollbruk, për shembull, e as nuk jam aq i sigurt, në fund të fundit, që Gore do të largohet nga Nashvill e të shkojë në Uashington. Ai tani është i pasur dhe nuk i jep llogari askujt. Megjithatë, Gore si dhe Sumers dhe Klein e dinë nga koha e tyre në Uashington - të gjithë këta shërbyen në administratën e Klintonit - se nëse ndryshimi do të jetë më shumë se vetëm një slogan, duhet të vijë nga njerëz të vendosur brenda, si ata vetë. Nëse ata vijnë në Uashington, nuk do të jetë se e duan vendin e punës. Do të jetë, sepse ata e duan sfidën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›