E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonasit quhen FYROMaqedonasit!

Një studim i përgatitur nga Parlamenti Evropian (PE) për të drejtat e pakicave etnike në Ballkanin Perëndimor, është pritur me shqetësim të madh në qarqet politike dhe opinionin publik të Maqedonisë, pasi, në të, banorët e kësaj të fundit quhen FIROMaqedonas, që, sipas tyre, përbën një hap prapa në përpjekjet që po bën ky vend që ai të quhet me emrin kushtetues "Republika e Maqedonisë" dhe qytetarët e saj - "maqedonas".

Studimi, i publikuar ditët e fundit në Bruksel, që i shmanget përdorimit të emërtimit "maqedonas", duke quajtur të tillë vetëm ata që jetojnë jashtë Maqedonisë, është përgatitur nga ana e Nënkomitetit për të Drejtat e Njeriut, si temë e një debati për Ballkanin Perëndimor, e që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në PE. Në këtë studim vihet në dukje se pakicat, sidomos ato të voglat, në Maqedoni, nuk kanë qenë të përfaqësuara si duhet në institucionet politike, pasi në vitin 2005 në Parlamentin vendas prej 120 deputetësh, vetëm 36 prej tyre u përkisnin pakicave dhe se, edhe në dy vitet e ardhshme (2006, 2007), ky numër nuk ndryshoi.

Në studim numërohen ligjet që janë miratuar në Maqedoni për avancimin e të drejtave të pakicave, me konstatimin se pakicave etnike u është ofruar të marrin pjesë në jetën politike të vendit në krahasim me të kaluarën, por pa u siguruar atyre një autonomi territoriale direkte. Në të ka mjaft kritika, sidomos, për sa u përket gjendjes dhe të drejtave të romëve me konstatimin e përgjithshëm se ata, në pjesën më të madhe të tyre, jetojnë në zonat rurale të vendit dhe, duke qenë se mundësitë e punësimit janë përqendruar, kryesisht në qytetet e mëdha, ata (romët) gjeografikisht janë të përjashtuar nga ky proces. "Diskriminimi i pakicave etnike, sidomos i romëve, vazhdon të jetë i pranishëm në shkallë të gjerë në Maqedoni, megjithëse Kushtetuta e vendit e ndalon këtë. Romëve, sipas raportit, nuk u garantohet puna (papunësia midis tyre - 70 për qind), aksesi në institucionet e fondet shëndetësore, pjesëmarrja në organet e pushtetit, madje as hyrja në restorante dhe kafene!

Si problem në këtë studim veçohet keqtrajtimi dhe mostrajtimi i përshtatshëm jo vetëm i romëve, por, në një pjesë më të vogël, edhe i shqiptarëve që, sikurse theksohet në këtë studim, është rezultat i debalancës etnike në vend, pasi në Maqedoni shqiptarët përbëjnë më se 25 për qind (shifër zyrtare) të numrit të përgjithshëm të popullsisë, ndërkohë që vetëm 17 për qind e kuadrit policor përbëhen nga ata. Sidoqoftë, konstaton studimi, qeveria ka caktuar 300 mijë euro për projekte speciale në favor të pakicave, ka mbështetur manifestimet artistike të tyre, në vend ka 165 programe mediumesh në gjuhën shqipe, 31 rome, 9 - turke, 10 boshnjake e të tjerë. Megjithatë, në këtë studim kritikohet fakti se Komiteti Shtetëror për Marrëdhëniet Ndëretnike nuk është aktiv, se pakicat në ato komuna, ku numri i tyre e kalon shifrën 20 për qind të numrit të banorëve, kanë të drejtë ta kërkojnë çdo dokument në gjuhën e tyre amtare, por se kjo nuk është praktikë në këtë vend. Në studim, gjithashtu, theksohet se, megjithëse numri i nxënësve të pakicave që frekuentojnë shkollën e mesme në gjuhën e tyre amtare është rritur, sidoqoftë, shqiptarët ankohen se shpërndarja e fondeve publike për arsimin nuk bëhet në raport me numrin e tyre. "Afro gjysma e pjesëtarëve të pakicave etnike nuk shkojnë dot në shkollën e mesme, për shkak të mungesës së klasave, ku lëndët jepen në gjuhën e tyre amtare", theksohet në studim, ndërsa vihet në dukje se në zonat fshatare familjet shqiptare i heqin vajzat nga shkolla në moshën 14-vjeçare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›