Kabineti i renegatëve
Agron Gani/departamenti i Historisë, UT.
-Para disa javësh në jetën politike shqiptaren ndodhi një fenomen i paparë. Me kalimin e LSI-së në opozitë, mazhoranca e Sali Berishës në parlament, rrezikoi të merrte fund dhe vendi normalisht duhet të kalonte në zgjedhje të parakohshme. Në bazë të Kushtetutës, këto zgjedhje duhet t’i përgatiste një qeveri teknike, e krijuar nga grupimet e ndryshme parlamentare. Një zhvillimi i tillë i ngjarjeve ishte i papranueshëm për Partinë Demokratike dhe veçanërisht udhëheqësin e saj autokrat, Sali Berishën. Kjo për arsyen e thjeshtë se ai humbiste mundësinë për të kontrolluar zhvillimin e zgjedhjeve dhe manipulimin e tyre siç ka ndodhur vazhdimisht. Për të parandaluar një zhvillim të tillë u thirrën në skenë tre deputetë socialistë, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli. Duke bashkuar votat me PD-në ata i dhanë oksigjen mazhorancës dhe i lejuan Sali Berishës të kontrollonte parlamentin dhe në mënyrë antiligjore të mbante nën kontroll Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këtë veprim të ish-deputetëve të saj, Partia Socialiste e dënoi me forcë dhe i vlerësoi ata si tradhtarë. Procesi i kalimit të deputetëve të veçantë dhe madje, i grupimeve të tëra deputetësh nga një parti në tjetrën nuk është një fenomen i ri në historinë e botës demokratike dhe moderne. Por shembulli më klasik i këtij fenomeni është ai Francës në fund të shekullit XIX, kur “socialistët”, MIleran, Vivian dhe Brian kaluan nga opozita në mazhorancë dhe mbështetën atë që në histori u quajt “Kabineti i tre renegatëve”. Një parantezë historike për të kuptuar më mirë dukurinë: Në fillim të viteve ’80 të shekullit XIX në Francë u konsolidua rendi republikan dhe në pushtet erdhi partia e “republikanëve të moderuar”. Pasi erdhën në fuqi ata nuk mbajtën premtimet, reformat u kufizuan me kalimin e kryeqytetit nga Versaja në Paris, amnistinë e komunarëve, kalimin e shumë ligjeve të mira, por që nuk u vunë në jetë. Refuzimi i republikanëve për të përmirësuar rrënjësisht gjendjen ekonomike, sociale dhe politike, bashkë me përsëritjen e të njëjtave premtime në fushatat elektorale dhe skandalet financiare që përfshinë autoritetet më të lara të vendit çuan në pakësimin e votave për partinë në pushtet. Skandali i kanalit të Panamasë dëshmoi se piramida e lartë shtetërore dhe parlamentare ishte e korruptuar. Dhëndri i Presidentit të Republikës kishte përvetësuar fonde të mëdha duke shitur dekoratën më lartë në vend, Kryqin e Legjionit të Nderit. Në planin politik, autoriteti i republikanëve të moderuar u trondit shumë edhe nga paaftësia e tyre për të përgatitur vendin ushtarakisht për përballjen e kërcënimeve në rritje nga Gjermania fqinje.
Në vitin 2005 në pushtet rierdhi PD-ja me në krye Sali Berishën. Kjo u mundësua nga përçarja e forcave të majta dhe lulëzimi i korrupsionit gjatë qeverisë së Fatos Nanos. Udhëheqësi i PD-së e dinte mirë se kishte ardhur në pushtet jo me votën e shumicës elektorale. Ndaj edhe bëri premtime për të luftuar korrupsionin, ndërtua shtetin e së drejtës, likuidimin e listave të popullsisë etj.. Gjatë mandatit të parë u realizuan vetëm disa prej tyre, të tjerat u harruan dhe me kalimin e kohës nisën të evidentohen skandale në rritje në fushën politike dhe ekonomike që nga Gërdeci, përvetësimi i fondeve gjatë ndërtimit të veprave të mëdha; në fushën politike u bë gjithçka për të kufizuar të drejtat e opozitës dhe liritë demokratike të shqiptarëve. Por qeveria e Sali Berishës u orientua madje nga politika antikombëtare sa arriti deri aty dhe të nënshkruante me Greqinë. Për t’u rikthyer te përvoja franceze: politika e ndjekur diktoi kalimin e elektoratit drejt të majtës. Një tendencë e tillë forcoi pozitat e opozitës në parlament që përfaqësohej nga Partia Radikale dhe Partia Socialiste, që fuqizuan përherë e më shumë grupet e tyre parlamentare në Asamblenë Kombëtare të Francës. Erdhi një moment kur diferenca e numrave u ngushtua shumë dhe mjaft analistë parashikuan përmbysjen e mazhorancës dhe ardhjen në pushtet të radikalëve dhe socialistëve, të bashkuar në një koalicion. Në kushtet kur partia në pushtet po shkonte drejt humnerës, drejtuesit e saj bënë gjithçka për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Si rrugëzgjidhje më e mirë u mendua përçarja e frontit opozitar, duke tërhequr në radhët e mazhorancës eksponentë të veçantë të opozitës, veçanërisht nga radhët e socialistëve. Kjo për faktin se pas tyre po orientohej një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve francezë. Duke joshur drejtues me ndikim nga Partia Socialiste, republikanët e moderuar menduan se do të zgjeronin bazën sociale të partisë së tyre dhe do të vazhdonin në këtë mënyrë të mbanin pushtetin. Joshja e socialistëve Mileran, Vivian dhe Brian u realizua nëpërmjet dhënies atyre të posteve të larta në administratën shtetërore, deri në rang ministri e kryeministri. Këta njerëz u pasuruan me shpejtësi dhe u bënë pjesë e oligarkisë së lartë financiare pasi tradhtuan partinë e tyre dhe u bënë pjesë e mazhorancës qeverisëse.
***
Në fund të vitit 2012 dhe fillim të vitit 2013, kriza e gjithanshme politike në Shqipëri u thellua më shumë. Të gjitha shenjat treguan se shumica dërrmuese shqiptarëve ishin të pakënaqur nga qeverisja e demokratëve. Propaganda e shfrenuar qeveritare për mirëqenien e Shqipërisë dhe kalimin prej saj të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të zhvilluara në shumë drejtime, shkaktoi ilaritet në shtresat e ndryshme të popullsisë. Ato e kuptuan se kryeministri i tyre jetonte jashtë realitetit dhe po e çonte vendin drejt katastrofës, veçanërisht me rritjen e pakontrolluar të borxhit. Këtë situatë pa rrugëdalje e kuptoi e LSI, largimi i së cilës nga koalicioni me demokratët e vuri në pozitë të vështirë PD-në dhe sidomos udhëheqësin e saj Sali Berishën. Për të mbajtur në këmbë regjimin e tij të kalbur, udhëheqësi demokrat u detyrua të kërkonte Mileranë në kampin e forcave opozitare. U vunë në lëvizje mjete të shumta financiare për të tërhequr deputetë socialistë në mënyrë që të ruhej me çdo kusht mazhoranca qeverisëse dhe të evitohej krijimi i qeverisë teknike. Përveç parave dhe premtimeve për poste të majme, Berisha shkoi edhe më tej: u premtoi renegatëve socialistë vende të sigurta në listat e demokratëve në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Dhe joshja me pushtet dhe para dha rezultatet e saj. Islami, Kadeli dhe Dogjani nga socialistë u kthyen në demokratë dhe me votën e tyre në parlament i dhanë për pak javë, oksigjen një regjimi të kalbur dhe të mbështetur në darën e vështirësive të pakthyeshme.