E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjegjshmëria largpamëse përball votës

Nga  Fitim Sula

vota

Politikanët dhe gjithë suita e tyre deri te i fundit, që përtypen mbi sahanin e të mirave materiale të mbushur plot nga djersa e popullit, janë vënë në lëvizje. Komedia e radhës !? Të njëtët aktorë!? Dhe patjetër spektatori i përhershëm me emrin «Popull», që mbetet i vetmi i vërteti në historinë e 23 viteve demokraci. Skena e politikës sot nuk është tjetër përpos një anarkie totale, krejt e kundërt me arsyet e vërteta që duhet të ishte. Aktorë komikë të lindur godasin gjoksin me grusht për tu shfaqur krejt ndryshe nga çkanë bërë në pozicionin pushtetar ku kanë shërbyer. Sa bukur ! Spektatori popull ka rastin e radhës të duartrokasë aktorët që kanë huazuar përkohësisht veshjen qesharake të kllounit !

Dhe në skenën kaotike të komedisë aktorët hyjnë nga të gjitha anët, majtas, djathtas, po edhe nga qendra. Disa deklamojnë vargje për Hënën, Diellin, disa të tjerë për Jupiterin, Marsin, ndërsa disa të tjerë me mundim ulen deri në rrafshin tokësor, po përsëri ndalen larg në Amerikë, Britani, Gjermani, Francë! Vetëm për shtetin dhe banorët e tij flitet shum pak, dhe akoma më pak flitet për arsyet e vuatjeve të tyre( të banorëve shqiptar). Bëhet një lojë vetëm duke kalkuluar interesa partiakësh dhe interesa ekonomike të atyre që kanë në duar ekonominë, dhe populli është thjesht spektator pa asnjë mundësi zgjidhjeje. Varfëri, kaotizëm, shitja e interesave shtetrore, kthimi në mentalitet arkaik të fisit, shkatërrimi i pyjeve, i bregdetit, i harmonisë njerëzore, tjetërsim i mentalitetit civil, e në pafundësi mund të radhisim vargun pa fund të të këqijave në Shqipërinë tonë të varfër.

Po shfaqja komike vazhdon. Matanë skenës, atje në kthinat dhe dhomat e errëta aktorët ndajnë rolet dhe koridoret nga ku do të hyjnë në skenë. Çfarë loje magjepsëse! Një tragjikomedi mahnitëse luhet para spektatorit, i cili krejt i hipnotizuar loton e duartroket deri në marri fatalitetin e të qënit popull në vuatje. Sa dhimbje! Bijtë e popullit nuk duan të ndërgjegjësohen e të vetëikin pa vrarë e gjakosur më tej kombin e tyre. Nuk kuptojnë peshën e të keqes të marrosur nga kënaqësia e pushtetit, apo !? Loja skenike thërret në skenë një e nga një aktorët komikë Cilësia e ajrit është e rëndësishme për jetën e njeriut, reciton duke u përkulur njëri, që kohë më parë kishte vrarë pa mundur më shumë, po vetëm njëzet e ca vetë. Do të punësojmë të rinjtë, thotë një tjetër, pasi për vite të tëra me metoda mafioze ka mbajtur peng apo të mbyllura uzina, miniera, ku mund të kishin punësuar mijëra vetë. Shërbimi ndaj qytetarit do të jetë në qendër të vëmendjes tonë, thotë një tjetër babaxhan, që dikur deklamonte se ishin vrarë shum pak, vetëm disa vetë.

Çfarë tragjikomedie frikëndjellëse dhe qesharake! Një klasë politike që ka çuar popullin e tij në kushtet e një mbijetese absurde! Dhe përse!? Që më pas ta tërheqë për hunde me një kore të thatë buke, si qenush të bindur, duke e zhveshur pa mëshirë nga shumë cilësi njerëzore. A nuk jemi vërtet qenushë të bindur!? Dhe e gjithë kjo poshtërsi përse!? Që në duart e tyre të kenë një pushtet të përjetshëm! Të jetojnë ditë të lumtura mbi kurrizin e popullit të tyre të gjakosur nga vuatjet! Dhe kjo ndodh sot ne realitetin e celularëve, kompjuterave, daljes së njeriut jashtë sistemit tonë diellor! Çfarë arkaizmi absurd e i dalë jashtëloje në ditët moderne!! Një tragjikomedi bajate që si një trupë shëtitëse ka udhëtuar në kohë dhe hapësirë sa në veri e sa në jug, sa në qytete e sa në fshatra. Tani ka zbritur përsëri dhe ashtu si për njëzet e ca vite trupa e aktorëve tragjikomikë jep shfaqe të shëmtuar me sukses!

Po si duket spektatori popull më në fund është mërzitur! I lodhur nga varfëria, papunësia, korrupsioni, gjakmarrja, prostitucioni e të tjera dreqsina nuk i intereson më shfaqja e aktorëve komik, shikon drejt në sy të vërtetën dhe kupton që gjendet i pashpresë në një gropë të thellë e me shumë pak mundësi shpëtimi. Tashmë jemi në një luftë ndërmjet atyre që janë mishëruar me atributet që të jep të qënurit në pushtet, dhe popullit që duhet ti shpëtojë të qënurit spektator varfanjak e pa mundësi të tjera. Dhe në këtë moment historik për ne shqiptarët koha thërret në skenën e vërtetë të jetës së përditshme mentorët jo me gjak të shprishur, që të marrin në dorë fatet e të nesërmes së kombit tonë(ku janë! Dilni ne dritë tju shohi populli).

Dhe arma për shpëtim, ose për qëndrim në të keqe është vota. Me votë janë ulur e ngritur në pushtet pushtetarë të panumërt në botën e qytetëruar. Përballë votës janë ndjerë të pafuqishëm dhe njerëz gati të mbinatyrshëm që kanë pasur në dorë dhe fatet e gjith botës. Vota nuk pyet për nepse  individësh. Po a e kuptojnë fuqinë e votës së tyre të gjithë shtetasit shqiptarë!? Ata që shikojnë përtej lojës aktoriale të politikanëve abuzivë të të gjitha ngjyrave dhe kampeve, patjetër që po. Po; «A duhet ta kuptojë edhe shtetasi më i thjeshtë që fuqia e votës së tij, është ose një varkë shpëtimi, ose një zhytje e mëtejshme në të keqe?» U thuhet parti të mëdha disave, e të vogla shumë të tjerave. Po në të vërtetë në këto ditë fushate elektorale janë(ose duhet të jenë) të gjitha parti të barabarta përballë votës së qytetarit. Kjo do të thotë që votuesit duhet të shohin me të njëtin interes edhe partitë e vogla, se aty mund të jenë njerëz që kanë atributet e duhura për të qënë përfaqësues dinjitoz të interesave qytetare. Dhe kjo vjen ngaqë në partitë e mëdhaja individët nuk mund të dalin në sipërfaqe pa u bërë shumë pis(me baltë…), ose tërësisht të deformuar e të shtrembëruar.

Dhe lojën që bëjnë partitë dominuese në dëm të të tjerave, populli me votë mund tua kthejë në bumerang duke votuar partitë e quajtura të vogla, po që brënda vetes kanë kandidatë me dinjitet. Prandaj votuesve u duhet shumë kujdes deri në minutin e fundit kur vënë shenjën te personi, ose partia që zgjedhin. Dhe këtë zgjedhje nuk duhet ta bëjnë duke menduar se si do votojnë të tjerët, po mbi bazën e një analize logjike individuale. Nënvleftësimi, shitja apo keqtrajtimi i votës patjetër që determinon një zgjatje të të keqjes ton렠pa limit. Se dihet, që e keqja zbret poshtë e më poshtë në pafundësinë e errët të greminës së vetvetes, dhe që pa tjetër në greminën e saj merr me vete edhe atë që i rri pranë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›