Rendesia e votes, dhe arsyetimi i nje fitoreje
Taulant Kopliku
Partia Socialiste është favorite reale për të dalë fituese pas zgjedhjeve të 23 Qershorit edhe pa ndihmën e LSI-së. Edhe pse sondazhet parashikojnë një fitore të se majtës së bashkuar në këto zgjedhje, duket se në këto javë të fundit ka një tendencë në rritje të elektoratit për tu bashkuar me partinë e Edi Ramës. Mitingjet e fundit të socialistëve kanë rritur dukshëm entuziazmin tek ata qytetarë që me të drejtë kanëpatur rezervat e tyre ndaj disa veprimeve të lidershipit të kësaj force.
Elektorati i qëndrestarëve
Prej 22 vitesh Partia Socialiste në realitet ka patur një elektorat statik i cili “në rresht për një”, drejtohej një të dielë në çdo katër vite drejt kutisë së votimit. Kjo kategori personash përbëhej më së shumti nga nostalgjikët, kryesisht mosha te thyera. Ata përbënin bërthamën e një grupi votuesisht besnikë të cilët se çonin votën dëm në asnjë moment dhe për asnjë lloj arsyeje, nisur edhe nga privilegjet e humbura nga ndërrimi i pushtetit.
Kjo kategori, e mësuar me një sistem tjetër, kishte një mënyrë autoritare për të bindur pinjollët saqë modeli i shkuarjes drejt kutisë dhe votimi verbërisht e në në grup që nga pleqtë e deri tek 18-vjeçarët u trashëgua vit pas viti. Kushdo e dinte në lagje se për kë voton ky apo ai fis, kjo apo ajo familje pa përmenduar asnjëherë votën individuale.
I njëjti model u aplikua dhe nga elektorati i Partisë Demokratike pas një periudhe të shkurtër të idealizmit të shkuar dëm në fillimvitet 90. Frika e humbjes së postit drejtues apo edhe thjesht e vendit të punës, e ktheu shpejt bërthamën e këtij elektorati, nga militantë të devotshëm PD-istë, në hartues
listash familjare, fisnore, kushqish e miqësish me të vetmin qëllim, ruajtjen e privilegjeve. Sot në realitet ky është elektorati më i besueshëm nga sondazhet dhe depozitë fikse votash për të dy forcat kryesore politike.
Elektorati i të rinjve
Pas vitit 2005, balancat në Partinë Socialiste ndryshuan ndjeshëm. Dalja në opozitë e Partisë Socialiste dhe marrja e drejtimit të saj nga Edi Rama, gradualisht solli afrimin pranë kësaj force të të rinjve, kategoria më indiferente ndaj politikës. Energjia dhe impulsiviteti i liderit të ri (edhe në moshë) të socialistëve bëri që të ata të përqafonin ide politike të cilat ndoshta ndonjë vit më parë i konsideronin të papranueshme dhe përcjellëse të ideologjisë së vjetër të së majtës. Rinia shqiptare e pëlqen Edi Ramën e një pjesë e saj madje e konsiderojnë si modeli për tu ndjekur. Rama është kthyer në një tendencë tek të rinjtë. Shumë prej tyre e konsiderojnë veten jo aq pjesë e Partisë Socialiste, por pjesë e modelit Rama, dhe kjo është një fitore personale vetëm dhe ekskluzivisht e tij. Për ta Rama është njeriu që ka
vullnetin dhe energjinë të ndryshojë gjithçka ashtu si bëri me Tiranën.
Përpjekje për të punuar fort me të rinjtë dhe për të krijuar idenë e një përfaqësimi politik me moshat e reja e ka bërë përgjatë 10 viteve edhe LSI. Të rinjtë e kësaj force Sillen rreth boshtit Meta, duke e konsideruar liderin e tyre si një model që duhet ndjekur, por ne ndryshim nga modeli i pare, ky i dyti shihet nga këta të rinj si modeli i pasurimit marramendës nëpërmjet politikës.
Elektorati i të lëkundurve
Një pjesë e mirë e shqiptarëve janë në dilemë (ndoshta më shumë se kurrë më parë) se ku ta hedhin votëën më 23 Qershor. Konsumimi tetë vjeçar në pushtet i Partisë Demokratike dhe për më tepër sistemi korruptiv i qeverisjes në këto tetë vite, janë një motiv që vota e kësaj kategorie të shkojë për opozitën. Edhe ato shqiptarë të cilët në vitin 2005 janë betuar të mos e votojnë më asnjëherë Partinë Socialiste, tashmë janë bindur për ti dhënë një shans Ramës të cilit nuk mund ti faturohen zullumet e paraardhësit Nano. Mes dilemash të shumta janë dhe ish-të përndjekurit. Ata nuk munden t’ia falin Sali Berishës gabimet që ka bërë ndaj tyre në të gjithë mandatet që ka qeverisur këtë vend.
Ata i dhanë një shans të dytë në vitin 2005, por ai sërish i nëpërkëmbi dhe u ndërseu policinë. Atashimi pranë Partisë Socialiste i një departamenti për këtë shtresë dhe për më tepër vendosja në krye të këtij departamenti e një ish-të persekutuare, ka krijuar një urë komunikimi të paarritur më parë mes Partisë Socialiste dhe ish-të përndjekurve. Premtimi i Ramës për legalizimet dhe angazhimi se do vihet vetë në krye të punës ka qenë një nga goditjet më të forta të kësaj fushate duke kthyer shpresat e shuara prej vitesh tek banorët e periferive kryesisht në Tiranë e Durrës. Të njohur si votues të bindur të Partisë Demokratike, banorët e këtyre zonave kanë mbijetuar si kanë mundur në këto tetë vite të qeverisjes së kësaj force dhe nevoja për të ndryshuar diçka është bërë jetësore për ta.
Emigrantët
Nëse ka një forcë politike e cila prej vitesh është investuar tek emigrantët, kjo është pa më të voglin dyshim Partia Socialiste. Degët e saj janë mjaft aktive në qytetet kryesore të Greqisë dhe Italisë dhe pesha e tyre do te vihet në provë më 23 Qershor.
Duke jetuar në vende me demokraci të përparuar, emigrantët janë më të ndjeshëm ndaj problemeve që ka pushteti me qytetarët dhe kjo për shumë prej tyre është e mjaftueshme për të kërkuar rotacionin e pushtetit. Ata në pjesën më të madhe i shohin ngjarjet politike dhe situatat që ata sjellin, me gjykim më të ftohtë dhe pa militantizma por kur bëhet fjalë për demokracinë e rrezikuar dhe cilësinë e jetës të munguar për të afërmit e tyre në Shqipëri, janë të aftë të reagojnë me armën e vetme që kanë në dorë,
votën. Me përjashtime të vogla, do rezultojë jo funksionale e madje dhe qesharake përpjekja për blerjen e votës së tyre me bileta avioni falas. Kjo përpjekje është thjesht e vetëm një nëpërkëmbje e dinjitetit që do refuzohet me neveri nga emigrantët.
Elektorati “gri”
Në Shqipëri ka qytetarë që nuk votojnë nga viti 1992 edhe pse asnjëherë nuk kanë qenë jashtë vendit gjatë zgjedhjeve. Gradualisht numri i atyre që nga gazetarët dhe politika quhen elektorati “gri” është rritur ndjeshëm. Edhe pse nuk janë një kategori unike por individë të veçuar që preferojnë ta kalojnë të dielën larg zhurmës që sjellin zgjedhjet, ata nuk mund të mos konsiderohen nisur dhe nga fakti që kanë përqindje më të lartë sesa të gjitha partitë e vogla të marra sëbashku.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre ndjejnë zhgënjim nga politika në tërësi por padyshim pjesa më e madhe i përket të zhgënjyerve nga një person i vetëm, Sali Berisha. Duke u konsideruar të djathtë ata nuk ia kanë lejuar vetes në gjithë këto vite të votojnë për Partinë Socialiste duke preferuar më mirë abstenimin pa shkuar aspak në qendrat e votimit. Brenda kësaj kategorie, ka një shumicë e cila tashmë ka përkrahur FRD-në e Bamir Topit, duke kërkuar aty idealet e humbura që 20 vite më parë. Një aksion i vrullshëm për tërheqjen e elektoratit “gri” u nis mirë dhe nga AKZ por zhvillimet e fundit dhe të befta nga ky kamp, vetëm sa e shtuan dozën e mosbesimit të “grive” tek politika shqiptare.
Kur duhet dhe një javë që shqiptarët të japin verdiktin duket se ata qartazi kanë përqafuar një alternativë, atë të Partisë Socialiste. Komentet e shumta në blogje paraqesin si arsye të parë të kësaj preference rilindjen e Shqipërisë nëpërmjet largimit të Berishës, edhe pse mund të ketë 99 arsye të tjera për të votuar këtë forcë. Por ashtu siç tha Napoleon Bonaparti, “98 arsyet e tjera nuk me interesojne. Më mjafton kjo”.
