E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabllogramet, Arvizu: Njerëzit duhet të formojnë opinionin e tyre

TIRANË: Menjëherë pas përfundimit të seancës së parë parlamentare ku ai mori pjesë, ambasasdori amerikan, Aleksandër Arvizu, duke iu përgjigjur interesimit të medias, ka komentuar ftesat për bashkëpunim të dy forcave kryesore politike në vend si dhe kabllogramet e fundit, dhe po aq komente, që janë shoqëruar nga nxjerrja e tyre.

Jam ndjerë i nderuar, që jam ftuar në seancën hapëse të parlamentit dhe ju e patë seancën dhe askush nuk tha se do të ishte e thjeshtë. Por duhet të nisim diku dhe gjeta inkurajim, sepse është e rëndësishme, që të dy palët patën mundësi që të shprehnin pikëpamjet e tyre dhe pozicionet që ata kanë. Megjithë këtë, nuk duam të pretendojmë që nuk ka patur disa probleme serioze, të cilat kanë dalë nga raporti i OSBE/ODIR-it. Por ajo që është e rëndësishme, është që të dyja palët kanë njohur atë që është e rëndësishme, që të veprojnë së bashku, të punojnë së bashku për disa prej këtyre çështjeve. Dhe gjëja tjetër që do të doja të përmendja është diçka që ia kam përmendur edhe më parë Kryeministrit. Ndonëse maxhoranca ka më shumë karrige në Parlament, duke parë në mënyrë paradoksale, duke parë ndarjen se si ka ndodhur në nivel kombëtar, është e rëndësishme për ata që janë në pushtet, që të mund të bëjnë sa më shumë kompromise që të jetë e mundur. Por gjithashtu, do kërkojmë që dhe opozita duhet të bëjë punën e saj. Por duke parë situatën aktuale, mendoj që është e nevojshme që maxhoranca të mund të shprehë, të mund të japë sa më shumë të mundet lidhur me kompromisin.

Zoti Ambasador, çfarë mund të jap më shumë maxhoranca, konkretisht, ju lutem?

Le të flasim për shembull, për rekomandimet e dhëna nga OSBE/ODIR. Besoj se duhet të jemi realist këtu, pasi ka një ndasi shumë të madhe mes opozitës dhe partisë qeverisëse. Sikurse Kryeministri, edhe shefi i opozitës, kanë thënë se do të mirëprisnin përfshirjen e të tjerëve, si për shembull, përfshirja e të tjerëve nënkupton Komisionin e Venecias, etj. Sigurisht, Shqipëria është një vend sovran dhe shqiptarët duhet të vendosin se si duhet të drejtojnë vendin e tyre. Por nëse ka persona, nëse ka organizata të cilat janë të gatshëm të ofrojnë ekspertizë dhe përvoja të së shkuarës, mendoj se kjo gjë është e rëndësishme. Për t’iu rikthyer pyetjes, mendoj se është e rëndësishme, që këto reforma të nisin dhe të përmbushen, në mënyrë që njerëzit mund të shikojnë përparim.

Z. Ambasador, a keni ju besim te angazhimi i opozitës për të bashkëpunuar me maxhorancën, për reformat integruese të vendit?

Po, dua ta besoj.

Nëse më lejoni, dua të bëj një koment të fundit dhe kjo ka lidhje me çështjen e debatueshme të wikileaks-it. Dhe ju e dini qëndrimin tonë zyrtar, që ne nuk komentojmë rreth gjërave të publikuara nga Wikileaks. Të gjitha këto çështje të cilat kanë dalë, janë çështje, si për shembull, çështje të debatueshme dhe në Shtetet e Bashkuara, ato janë të ndëshkueshme me ligj, sepse janë çështje të tilla si, botimi i pa autorizuar i dokumenteve ose çështje të supozueshme. Por janë botuar shumë gjëra dhe njerëzit do të formojnë mendimet e tyre, lidhur me ato që janë raportuar. Nga këndvështrimi im, njerëzit duhet të formojnë mendimin dhe opinionin e tyre dhe nuk ka ndonjë problem me këtë. Ka diçka që unë kam pare, që është raportuar, veçanërisht gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri, dhe më ka bërë që unë të mos ndihem mirë. Kjo ka lidhje me disa përshkrime konkrete, të cilat i kanë emërtuar njerëzit si spiunë ose si informatorë. Për ata njerëz që flasin në këtë formë, që mendojnë në këtë mënyrë dhe që veprojnë në këtë mënyrë, më duhet të them, që jam shumë i zhgënjyer, sepse kisha menduar që ditët e sigurimit kishin kaluar, i kishim lënë pas. Por nuk shqetësohem, sepse ndonëse njerëzit do të sillen ose do të vepronin, sikurse njerëzit dikur do të silleshin në periudhën e sigurimit, këta njerëz, që e kanë kthyer kokën pas, janë njerëz që po shikojnë prapa në histori. Këta nuk do të jenë personat që kanë për ta shtyrë përpara, kanë për ta drejtuar këtë vend. Dhe nëse kam besim të plotë te diçka, gjatë periudhës time këtu, është që të gjithë njerëzit në këtë vend, duan që ky vend të ecë përpara. Dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë aty, do të gjenden aty, për të mbështetur popullin tuaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›