E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kushtetuta nuk ndërrohet me pahir

TIRANË: Pas një kohe të gjatë bojkoti në Kuvend, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar për këtë sesion kuvendor, se opozita do të bëjë cdo gjë që Shqipëria të mos refuzohet për herë të dytë për statusin e vendit kandidat nga Brukseli. Rama tha se puna e grupit parlamentar të PS-së do të fokusohet me ngulm tek 12 prioritetet që Brukseli i ka kërkuar Shqipërisë. Ai theksoi gjithashtu se, Kushtetutshmëria, zbatueshmëria e ligjeve, reformat jetike për vendin, lufta pa kompromis me korrupsionin përmes denoncimit publik të tij dhe kontrollit të rreptë parlamentar, do të jenë disa nga përpjekjet e opozitës. Paralelisht, Rama premtoi se opozita do të bëjë cdo përpjekje, që reforma e Kodit Zgjedhor të garantojë një votim të lirë e të ndershëm. “Përfshirja e ekspertëve të OSBE/ODHIR-it dhe opinioni i arbitrit ndërkombëtar të zgjedhjeve, i Komisionit të Venecias në këtë proces, janë për ne, kusht i patjetërsueshëm për një reformë të thellë, të drejtë e të barabartë për të gjitha palët”, - shtoi ai. Në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama foli qartësisht edhe për ndryshimet e mundshme kushtetuese, duke theksuar se ato nuk do të bëhen pa miratimin e palës tjetër. “Në këtë pikë, e dimë mirë që Saliu s’do dhe të gjithë, besoj e kanë kuptuar, nën dritën e tmerreve të publikuara gjithë këto ditë, se pse nuk do. Për të, institucioni i Presidentit të Republikës është streha për t’i ikur drejtësisë, bashkë me të gjithë mëkatarët e oborrit të tij familjar e klanor, arma, për të marrë peng me maskën e presidentit, edhe prokurorinë edhe Shërbimin Informativ, sepse gjykatat, tashmë i ka lidhur duarsh e këmbësh në një cep të atij oborri. Sidoqoftë, Kushtetuta s’ndërrohet me pahir dhe ne s’ia lidhim duart vetes duke kushtëzuar aksionin tonë politik me ndryshimet e nevojshme në kushtetutë. Populli le të dëgjojë, të shohë dhe të gjykojë se kush kërkon të bëjë shtet për të gjithë, e kush synon ta bëjë shtetin, vegël sundimi mbi të gjithë”, - tha Rama. Por kryetari i PS-së foli dje për një rregullore të re të Kuvendit si dhe, për mbështetje të çdo kandidature që do të vinte nga Presidenti i Republikës, për Guvernatorin e Shqipërisë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. “Është koha kushtetuese e ndërrimit të Guvernatorit, i cili është kthyer në mashën e Saliutn për të çuar përpara politikën e tij shkatërruese për financat e shtetit. Është koha e ndërrimit të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin, Saliu kërkon ta kthejë në mashë, për të mbuluar zullumet e pafundme të të gjitha ministrive e agjencive shtetërore të vëna nën regjimin e korrupsionit. Është koha e ndërrimit të Avokatit të Popullit, të cilin Saliu i’a ka ofruar opozitës, për t’i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar, duke qenë se në gjithë këto vite, e ka provuar që për të, ai institucion nuk ekziston. Është koha e plotësimit edhe të ndonjë vendi të mbetur në gjykatat e larta të vendit. Është koha që Presidenti i Republikës të bëjë përzgjedhjet e tij siç i’a kërkon Kushtetuta, për të gjitha këto ndërrime, dhe opozita do të votojë çdo kandidaturë të propozuar nga Presidenti, duke kërkuar që të njëjtën gjë të bëjë edhe shumica e vjedhur e Kuvendit, si edhe rikthimin e plotë të votës së fshehtë në Kuvend, për çdo votim për persona të veçantë”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›