E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Loja” me NATO-n, Rama hodhi poshtë telefonatën e Dades me Withers

Ish-ambasadori amerikan, John Withers zbardh takimin me liderin e PS-së, një ditë pasi deputetja Arta Dade, i kishte thënë në telefon se PS nuk ishte e gatshme të bashkëpunonte për reformat. “Arta Daden e paralajmëruam, se PS mund të duket se po pengon rrugën e Shqipërisë në NATO. Ndryshimi i kursit të Ramës nga presioni brenda PS-së, dhe kërcënimi i franksionit të Nanos”

Anëtarësimi në NATO dhe reformat e nevojshme për të marrë ftesën, duket se kanë krijuar një konflikt mes ambasadës amerikane në Tiranë dhe Partisë Socialiste. Shkak është bërë një telefonatë e deputetes Arta Dade, e cila i bënte me dije Withers-it pozicionin kundër të PS-së, për reformën gjyqësore dhe zgjedhore, të nevojshme për të marrë ftesën në samitin e Bukureshtit. Një ditë më vonë, më 21 dhjetor 2007, Edi Rama takohet me ambasadorin dhe shprehet i shtangur për këtë “keqinterpretim”. “Wikileaks” zbardh takimin e ambasadorit Withers me Edi Ramën, “lojën” testuese të PS-së dhe ndryshimin e kursit nga Edi Rama. Si shkak për këtë ndryshim, Withers shkruan se mund të ketë ndikuar presioni i PS-së dhe fraksioni i Nanos, që mund të kalonte në krahun e Berishës.

Kabllogrami i datës 21 dhjetor 2007

Në një takim kokë më kokë me ambasadorin e SHBA-ve, kryebashkiaku i Tiranës dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh i shtangur nga ideja se qeveria Amerikane mund të ketë keqinterpretuar pozicionin e partisë së tij, në mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Ai i kishte kërkuar ish-ministres së Jashtme, Arta Dade, t’u shpjegonte pozicionin e PS-së për reformën gjyqësore dhe zgjedhore, misioneve të ndryshme diplomatike në vend, duke përfshirë edhe ambasadën Amerikane. Rama shprehu shqetësimin se prezantimi i Dades mund të jetë marrë si refuzim i PS-së për të marrë pjesë në miratimin e reformave thelbësore për një ftesë të mundshme të NATO-s. (Shënim: Në fakt, Arta Dade i kishte telefonuar Ambasadorit një ditë më parë, duke i dhënë saktësisht një mesazh të tillë. Ambasadori e paralajmëroi atë se mund të duken si pengues të rrugës së Shqipërisë për në NATO, në sytë e komunitetin ndërkombëtar, dhe këshilloi fuqishëm lidershipin e PS-së, për të rishqyrtuar qëndrimin e saj). Asgjë, këmbënguli Rama, nuk fshihet përtej kësaj të vërtete. Qeveritë e kaluara të partisë Socialiste ishin avokatët më të fortë të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë dhe partia nën udhëheqjen e tij, mbeti e palëkundur në vendosmërinë e saj për të arritur këtë objektiv. Për këtë qëllim, Rama dhe anëtarët e tjerë të PS-së, u angazhuan në diskutime me qeverinë Berisha për të ndryshuar reformën gjyqësore dhe zgjedhore, sa më shpejt që të jetë e mundur. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, - vazhdoi ai, kishin fushë të gjerë në marrëveshjet për ristrukturimin e Parlamentit. Çështjet kryesore, të gjendjes civile dhe të kartave të identitetit, ishin në duart e qeverisë dhe nuk kanë më debat parlamentar. "Nuk ishte e lehtë për PS-në, që të punojë me qeverinë për reformimin e gjyqësorit, duke pasur parasysh ato që ai pretendonte, se ishin makinacione të paligjshme të kryeministrit Berisha për të larguar Prokurorin e Përgjithshëm, Theodhor Sollaku”-tha Rama. Megjithatë, ai ka premtuar përpjekje të përbashkëta dhe në mirëbesim për të arritur marrëveshje për këtë çështje vendimtare. Ambasadori mirëpriti vendosmërinë e Ramës për të gjetur gjuhën e përbashkët politike me qeverinë për interesin e madh kombëtar. Është thelbësore, tha Rama, që liderët e të gjithë spektrit politik, të lënë mënjanë grindjet politike dhe të arrijnë një kompromis për arritjen e qëllimit të NATO-s. Ambasadori theksoi se një rezultat i mirë në Bukuresht, që pritet të ndodhë, nuk duhet të shihet si sukses e i një partie të vetme apo edhe vetëm i qeverisë, por i të gjithë kombit, përfshirë dhe opozitën, të bashkuar për të mirën kombëtare. Ai premtoi t’i sigurojë Ramës një fletë-palosje të Ambasadës me elementët kryesorë të reformës gjyqësore. Komentet e Ramës shënojnë një kthesë të madhe të pozicionit së Partisë Socialiste. Si është parë kohët e fundit, udhëheqja e PS-së ishte duke folur ashpër dhe me ton kërcënues me maxhorancën, në lidhje me propozimet për reformat.

Komenti i Withers

Dy faktorët kryesorë duket të jenë në lojë për këtë ndryshim kursi: së pari, Rama është nën presionin e PS-së. Një grup i kryetarëve të bashkive të PS-së nga disa prej qyteteve më të mëdha të vendit i ka kërkuar bashkëpunim me Berishën, ku kërkojnë kreditim dhe rritje të të ardhurave për Bashkitë, në buxhetin e fundit të qeverisë. Për më tepër, Rama është mëse i ndërgjegjshëm se me një çështje aq të rëndësishme sa ajo e NATO-s, krahu i Nanos në partinë e tij, i cili e shikon ende me dyshim stilin e çuditshëm të drejtimit të Ramës mund të dëshirojë të hidhet në kampin e Berishës, ashtu siç ndodhi në zgjedhjen e Presidentit.

Fraksioni i Nanos në PS i ka paraqitur një listë kërkesash Ramës, lidhur me strukturën e brendshme partiake dhe liderishipin dhe thanë se do të marrin në konsideratë lënien e partisë në fillim të 2008, nëse këto kërkesat nuk përmbusheshin. Së fundmi, Rama është i dëshpëruar për të shmangur dënimin nga bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht nga Uashington, si njeriu që minoi shpresat e Shqipërisë për në NATO, nëse një ftesë e tillë nuk do vijë në Samitin e Bukureshtit. Ai shpreson të përfitojë disa të mira, nëse një ftesë e tillë do të bëhet realitet. Megjithatë, qëndrimi i ri i Ramës është një lajm i mirëpritur. Ne do të monitorojmë atë dhe kryeministrin Berisha, ngushtësisht për t’u siguruar se ata do t’i përmbushin qëllimet e tyre të deklaruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›