E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Mazhoranca, nuk do t’i gëzojë karriget mbi gjak

SHKRUAN: Fejzi Braushi 06-09-2011 14:30

Debati për zgjedhjet e shkuara vendore ka zotëruar seancën e parë plenare, të sesionit të ri parlamentar, në të cilin ka qenë pjesë edhe opozita. Në emër të grupit të tij parlamentar, Gramoz Ruçi, duke marrë fjalën, menjëherë pas kryeparlamentares Jozefina Topalli, nën vëmendjen e shumicës së përfaqësuesve të ambasadave kryesore në vendin tonë, për më shumë se 30 minuta, ka atakuar qeverinë dhe në veçanti, kreun e saj, Berisha, si përgjegjës për atë që ai e konsideroi si maskaradë e zgjedhjeve vendore. Ai ka theksuar se nuk është koha që dikush të krenohet, pasi Shqipëria dhe kjo mazhorancë, sollën në sytë e shqiptarëve dhe të partnerëve ndërkombëtar ato lloj zgjedhjesh, që në vendin tone, kishin kohë që ishin harruar. “Duket ironike ta thuash, por jemi të gjithë përgjegjës. Njëlloj siç jemi ne këtu në sallë, të kujtdo kahu politik. Jemi përgjegjës njëlloj. Por kujdes. Nuk jemi fajtorë njëlloj. Sepse të tillë ka vetëm një dhe ky është Sali Berisha, së bashku me të gjithë ata që e kanë ndihmuar të përfundojë me sukses masakrën e tij, duke vrarë demokracinë dhe shtetin ligjor. E bashkë me këto, edhe prespektivën, që një ditë Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes Europiane. Prova më e fundit ishin zgjedhjet vendore të këtij viti”, - tha kreu i deputetëve socialistë. Megjithatë, ai ka sqaruar se opozita dhe kreu i saj bënë gjithçka që këto zgjedhje të ishin të lira dhe të ndershme, duke ia hedhur fajin për notat e vlerësimit që jep raporti i ODIHR-it, vetëm Kryeministrit. “Jam i bindur se ne opozita, lideri i saj, bëmë gjithçka që ishte në dorën tone, për të garantuar standarte demokratike, ndaj dështimin nuk e ndajmë dot të gjithë, pasi ai i takon Berishës dhe qeverisës së tij”, - tha Ruci. Duke iu përmbajtur pikërisht vlerësimeve që jep raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore, Ruçi ka theksuar se ai e ngeli Shqipërinë në klasë, ndërsa ka shprehur edhe një herë bindjen e plotë se opozita i fitoi këto zgjedhje, përfshirë edhe ato në Tiranë, ku sipas tij, falë manipulimeve, humbësi u bë fitues. “Regjimi juaj zoti Kryeministër, është i denjë për t'u quajtur i tillë. Ju, zoti Kryeministër, sfiduat trupin diplomatik, vetë OSBE-ODIHR-in, por arroganca këtë radhë sfidoi edhe demokracinë, edhe shtetin ligjor. Në Tiranë, humbësi u bë fitues me vota të vjedhura. Votat dolën vetëm nga xhepi i pushtetit për të vjedhur mandatin e fituesit të Tiranës”, - tha Ruçi. Megjithatë, ka theksuar ai, të gjithë ata që realizuan këtë manipulim nuk do mund ti shpëtojnë gjithmonë ndëshkimit. Dhe për t’i dhënë fund këtyre praktikave, kreu i grupit socialistë, ka theksuar se është e nevojshme një reformë zgjedhore, e cila mund t’i kthejë shqiptarëve të drejtën e votës. “Drejtësia nuk e kaloi provën e pavarësisë, por ngeli në rrjedhën e korrupsionit. Ashtu si vendimi i KQZ-së u shkrua në zyrat e Berishës, edhe vendimi i Sashenkave dhe Tomkave, aty u shkrua. Raporti e thotë qartë, sa mos i lerë Berishës asnjë vend për t’u fshehur. Kolegji Zgjedhor iu nënshtrua pushtetit. Gjyqësori ngeli në klasë”, - tha Ruçi, duke sjellë si shembuj të tjerë të këtij konstatimi, edhe shumë ngjarje të tjera të pazbardhura, si “Gërdeci”, “21 Janari”, etj. E duke u ndalur tek këto të fundit, Ruçi, edhe një herë i ka bërë të ditur Kryeministrit, se nuk do mund ta gëzojë një pushtet të tillë, të ngritur mbi gjakun e shqiptarëve, ndërsa ka premtuar ndërmarrjen nga ana e opozitës, e një sërë nismash për reformimin e këtij sistemi. “Rasti i Gërdecit, nuk është dënuar askush. 21 janari, të gjithë u ekzekutuan nga shteti. Ata që vranë dhe ata që urdhëruan vrasjen, janë të lirë. Karrigen mbi gjakun e të pafajshmëve e keni të vështirë ta gëzoni”, - tha më tej Ruçi. Për të zbardhur këto ngjarje dhe për të denoncuar korrupsionin dhe aferat e tjera të dyshimta, ai ka premtuar se grupi parlamentar i PS-së, do të bëjë një opozitë kontrolluese ndaj qeverisë, dhe këtë do e nisë me një kërkesë, për një seancë të posaçme, për ngjarjet e minierës së Bulqizës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›