E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kabllogramet, Asange një Lupen i kohëve moderne”

05/09/2011  Kryeministri pret presidentin e Hondurasit, komenton publikimet e Wikileaks

“Pasqyrë e shtypit të përditshëm shqiptar” i ka cilësuar kryeministri e vendit Berisha kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë drejtuar Departamentit të Shtetit, ku përflitet për një sërë akuzash për korrupsion të ministrave dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij. Në komentin e parë për këtë çështje numri një i qeverisë shqiptare përsëriti qëndrimin e tij për Wikileaks, duke e cilësuar atë një Arsen Lupen të kohërave moderne. “Së pari, ajo që ju këshilloj është t’i lexoni sa më shumë. Së dyti, meqenëse më pyetët, kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo për sa i përket atij, për sa i përket pjesës tjetër, ju them të lexoni sa më shumë. Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë njëqind për qind, por aty afër”, - deklaroi Berisha në përgjigjen e tij. Më tej ai vuri theksin te marrëdhëniet shumë të mira të vendit tonë me SHBA-të, e veçanërisht me përfaqësuesin aktual të saj në vendin tonë Aleksandër Arvizu. “Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani të komentoj për akuzat e medieve, ato janë komentuar shumë herë”, - i dha fund në këtë mënyrë komentit të tij Berisha. Mediet kanë shfrytëzuar konferencën e përbashkët të shtypit mes kryeministri shqiptar dhe presidentit të Hondurasit Porfirio Lobo Sosa për të sqaruar disa qëndrime të qeverisë dhe maxhorancës mbi zhvillimet e fundit politike në vend. Kryeministri Berisha dhe presidenti Sosa në krye të delegacioneve respektive zhvilluan bisedime dypalëshe, që u përqendruan në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, inkurajimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit, por dhe në të gjitha fushat me interes, duke shfrytëzuar potencialet që të dyja vendet ofrojnë, si dhe duke finalizuar infrastrukturën ligjore të këtij bashkëpunimi. Kryeministri Berisha i shprehu presidentit Sosa mirënjohjen për vendimin e tij për të njohur pavarësinë e Kosovës, për të cilën presidenti Sosa siguroi se Hondurasi do të mbrojë në të gjitha forumet ndërkombëtare, të drejtën e popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur.

Bashkëpunimi mazhorancë-opozitë për integrimin

Kryeministri pro propozimeve konstruktive

Mazhoranca qeverisëse është e gatshme të bashkëpunojnë me opozitën për reformat integruese, nëse çdo propozim që vjen prej saj është konstruktiv. Kryeministri Sali Berisha në përgjigje të interesit të medies mbi gatishmërinë e mazhorancës për të pranuar propozimet që opozita do të hedhë në tryezë, u deklarua i gatshëm. Sipas tij, më e rëndësishme se gjithçka është bashkëpunimi për konsolidimin e shtetit. “Qeveria do të pranojë çdo propozim konstruktiv nga opozita dhe do ta vlerësojë e shqyrtojë atë me interesin e seriozitetin më të madh. Ky është një qëndrim konstant i kësaj qeverie, nuk ka lidhje me kushte. E rëndësishme është që bashkërisht të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, institucioneve demokratike”, - theksoi ai. Opozita parlamentare ka njoftuar praninë e saj në Kuvend në seancën e sotme parlamentare. Ky konfirmim ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruç i në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, por duket se prezenca e saj do të kushtëzohet me një paketë kushtesh apo reformash. Por sa e gatshme do të jetë realisht mazhoranca që në emër të dialogut politik e integrimit europian të vendit t’i pranojë ato?

Reformat zgjedhore dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve

Berisha: “Mirëpresim opinionin e Venecies”

Qeveria është e gatshme dhe e vendosur të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Europë - kjo ka qenë përgjigjja e prerë që kreu i qeverisë shqiptare i ka dhënë opinionit publik përmes një konference për mediet për interesimin e kësaj të fundit për reformën zgjedhore. Ndonëse e vlerësoi kodin aktual zgjedhor si më konsesualin të kohërave, Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë dhe mazhorancës që ai kryeson për të qenë të hapur ndaj çdo propozimi, në mënyrë të veçantë të Komisionit të Venecies. “Dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE–ODIHR-it. Kodi aktual zgjedhor është ligji zgjedhor më konsensual në historinë e vendit. Ligj me të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita. As edhe një nen të vetëm”, - tha ai. Referuar rekomandimeve të ODIHR-it për këtë ligj, kryeministri garantoi kthimin në ligj të secilit prej tyre së bashku me opozitën. “Mendoj se në përpjekje të përbashkët me opozitën ne i kemi të gjitha gjërat tani të qarta në tryezë. Qeveria është plotësisht e vendosur të zbatojë me opozitën secilin prej këtyre rekomandimeve”, - deklaroi shefi i ekzekutivit.

PS-ja mbledh grupin

Sot seanca e parë e Kuvendit pas pushimeve verore

Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare sot në orën 18:00, duke shënuar kështu fillimin e sesionit të 5-të të Legjislaturës XVIII. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku u miratua në unanimitet kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator–23 shtator si dhe programi i punës në periudhën 5 shtator–4 tetor, Kryetarja Topalli ftoi krerët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, si dhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave të të gjithë deputetëve. Kryetari i PS-së, Edi Rama, pritet të mbledhë nesër rreth mesditës grupin e deputetëve socialistë. Vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar, që nis në orën 18:00, grupi i PS-së do të vendosë zyrtarisht qëndrimin ndaj maxhorancës në Kuvend. Paraprakisht është thënë se ndërpritet bojkoti dhe nis puna e socialistëve si një alternativë ndryshe në legjislativ dhe për më tepër si një opozitë e fortë e qeverisë. Që prej ditës së hënë fillon të shfaqet publikisht edhe kursi i ri i PS-së, i lajmëruar në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie nga kryetari Edi Rama.

Kryetarja Topalli pret presidentin Sosa

Shqipëri–Honduras, vlerësohen marrëdhëniet dypalëshe

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosa, i cili shprehu vlerësim për zhvillimin që ka pësuar vendi ynë së fundi. “Ju na keni mësuar se si, pavarësisht vështirësive, mund të arrihet një rritje ekonomike që ne e prekëm nga afër”, - tha presidenti Sosa. Ndërsa Kryetarja Topalli e cilësoi vizitën e tij shumë të rëndësishme jo vetëm në aspektin politik, por edhe miqësor. “Kjo vizitë është një mundësi shumë e mirë për të çuar përpara marrëveshje të rëndësishme politike dhe ekonomike dypalëshe. Vlerat universale janë të njëjta dhe e bëjnë distancën gjeografike mes dy vendeve inekzistente”, - tha kryeparlamentarja. Ajo e falënderoi presidentin Sosa për qëndrimin e tij dhe të vendit të tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Ky qëndrim është një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin”, - theksoi ajo. “Çdo njeri, çdo popull e çdo komb ka të drejtën të jetë i lirë. Vizita jonë në Kosovë dhe në Shqipëri është një rikonfirmim i qëndrimit tonë se Kosova ka të drejtën të jetë e lirë dhe sovrane. Ndajmë të njëjtat ideale dhe vlera dhe do të jemi përkrah Kosovës”, - tha presidenti i Hundurasit për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›