E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrihen familjet për një fejesë, 6 të plagosur në spital

05/09/2011  Të dëmtuara dhe 2 gra, një burrë në gjendje të rëndë. Agresorët refuzuan mblesërinë

BERAT- Një fejesë e dështuar mes dy të rinjve është bërë shkak për një grindje të ndodhur mes familjarëve të tyre, grindje e cila ka degjeneruar sherr dhe më pas deri në përdorimin e mjeteve të forta, ku kanë ngelur të plagosur gjashtë persona, njëri prej të cilëve rrezikon jetën.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë ku janë përfshirë dhe kanë ngelur të plagosura dhe dy gra ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në një fshat të rrethit të Beratit. Burime të policisë që kanë shkuar në vendin e ngjarjes menjëherë pas lajmit thanë për gazetën se ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në fshatin Tozhaj të komunës Tërpani 16 km në lindje të qytetit të Beratit, ku anëtarët e dy familjeve në këtë fshat janë grindur me njëri-tjetrin për shkak të një fejese të dështuar, ngjarje nga e cila janë shkaktuar plagosjet e gjashtë personave mes të cilëve dhe dy gra, njëri prej të cilëve rrezikon jetën ka nisur me dështimin e fejesës të një çifti të lidhur thuajse me mblesëri. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se rreth orëve të vona të pasdites të 48 orëve më parë B. Fushtani, 50 vjeç, së bashku me djalin e tij Tajar, 28 vjeç dhe bashkëfshatarin e tyre E. Turani kanë qëlluar me mjete të forta duke dhunuar dhe lënë të plagosur gjashtë bashkëfshatarët e tyre, anëtarët e familjes Zenuni. Të plagosurit janë: Y. Zenuni, i cili është në gjendje kritike për jetën dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, I. Zenuni, A. Zenuni, S. Zenuni, si dhe dy gratë “vjehrra”, dhe “nusja” e familjes E. dhe M Zenuni. Familjarët Fushani mësohet se kishin kundërshtuar një fejesë mes vajzës së tyre dhe djalit të të plagosurit Y. Zenuni, çfarë është bërë shkak për një konflikt disa ditorë të nisur dhe vazhduar mes tyre. Familja Zenuni mësohet se kishte kërkuar për nuse vajzën e familjes Fushtani, gjë e cila nuk ishte pranuar prej këtyre të fundit. Pasi i kishin kundërshtuar

kërkesën e Y. Zenunit për fejesën e djalit të tij me vajzën e B. Fushtanit këta të fundit kanë nisur të grinden me bashkëfshatarët duke kundërshtuar kërkesën. E njëjta grindje mësohet se ka ndodhur dhe gjatë mbrëmjes së djeshme ku T. Fushtani së bashku me djalin dhe bashkëfshatarin e tij kanë shkuar në familjen e Zenunit për të ripërsëritur mospranimin e fejesës duke e kundërshtuar atë. Por, më pas kundërshtimi i hapur për mos fejesën e vajzës me djalin e miqve të paftuar në këtë rast, këta të fundit kanë filluar të grinden dhe më pas grindja ka kaluar në fjalë fyese dhe në sherr. Pas disa minutash biseda ka degjeneruar në sherr dhe me mjete të forta “miqtë” kanë nisur të qëllojnë drejt familjarëve duke i lënë ata të plagosur e gjakosur në gjendje tepër të rëndë.

Të plagosurit

Kanë qenë banorët e tjerë të fshatit ata që kanë mbërritur në lagjen ku bëhej sherri dhe pasi kanë mundur t’i ndajnë, janë marrë më ndihmën e të plagosurve. Këta të fundit janë nisur me makina që janë ndodhur aty rastësisht në spitalin rajonal të Beratit. Burime nga bluzat e bardha thanë për gazetën se të plagosurit kanë mbërritur në urgjencën e spitalit në orët e vona të 48 orëve më parë ku morën ndihmën e parë shëndetësore për plagët dhe lëndimet e pësuara gjatë sherrit, ndërkohë që për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore Y. Zenuni ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak për ndihmë më të specializuar, pasi sipas mjekëve të këtij spitali ky i fundit ka marrë plagë të rënda në kokë dhe në trup. Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet rreth kësaj ngjarjeje të rëndë ku janë përfshirë tre fise në dy lagje të tij. Në polici mësohet se janë shoqëruar autorët B. e T. Fushtani dhe bashkëfshatari i tyre E. Turani, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të plota të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›