E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabllogramët, Berisha: Pasqyrë e shtypit shqiptar

Qeveria do të pranojë çdo propozim kontruktiv nga opozita dhe do të shqyrtojë me seriozitet të madh çdo propozim të saj. Kështu i është përgjigjur kryeministri Sali Berisha pyetjeve të gazetarëve për hyrjen e opozitës të hënën në Parlament gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosase. Sipas tij bashkëpunimi me opozitën është një qëllim konstant i qeverisë për konsolidimin e shtetit ligjor dhe në përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
 

Ndërsa i pyetur nga “Ora News” në lidhje me publikimit e Wikileaks për Shqipërinë, Berisha theksoi se ato nuk janë gjë tjetër përveç se pasqyra e shtypit shqiptar me akuzat dhe kundërakuzat që forcat politike i adresojnë njëri-tjetrit.
 

“Dua t`ju them që t`i lexoni sa më shumë. Unë e konsideroj Wikileaks një Arsen Lypen i kohërave moderne. Ka bërë një vjedhje dhe nuk ndryshon mendimi im ndaj zotërisë që me anë të një operacioni të paligjshëm ka hyrë në kodet e vendit më të rëndësishëm në botë” ka theksuar Berisha.
 

Ai ka theksuar se edhe pas publikimit të kabllogrameve marrëdhëniet mes SHBA-së dhe vendit tonë janë shumë të mira. “Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij që mbështet Shqipërinë dhe jo forcat politike. Unë nuk mund të komentoj akuzat e mediave” ka shtuar Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi më tej se qeveria ështe e gatshme të bëjë gjithçka për intëgrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ky është ylli polar i politikës sonë por edhe i të gjithë reformave tona.
 

“Unë i thash presidentit që shqiptaët sot janë të ndarë në shumë shtete, por janë kudo të lirë dhe të sigurtë që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian. Shqiptarët janë të vendosur për të punuar për një proces të tillë dhe e dimë që ky është një proces jo shumë i thjeshtë” ka shtuar Berisha.

Kryeministri Berisha gjithashtu ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme vizitën e presidentit të Hondurasit Porfirio Lobo Sosase . Sipas tij kjo vizitë është një kontribut i madh dhe një inkurajim i madh për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

“E njoha presidentin me potencialet e mëdha që ka Shqipëria dhe që u siguron investitorëve të huaj.  Vizita e presidentit është e shkurtër por intensive, e frytshme dhe shumë e rëndësishme. Vendet tona janë larg njëra tjetrës gjeografikisht por jam i bindur se e ardhmja e vendeve tona është e shkëlqyeshme” ka shtuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›