E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabllogramet: Pazaret e Berishës për aplikimin në BE

Share

TVSH transmetonte live. Rrugët e Tiranës ishin mbushur me ngjyra e parulla. Kryeministri Sali Berisha dorëzonte në Çeki aplikimin për në Bashkimin Europian, duke e prezantuar pak ditë përpara zgjedhjeve si nj triumf të qeverisë së tij. Po keqpërdorte një akt të rëndësishëm për shqiptarët, të cilin e kishte blerë shtrenjtë në kurriz po të shqiptarëve. Ishte fundit i muajit prill. Pak ditë përpara, ambasada amerikane në Çeki kishte raportuar në Uashington se Shqipëria po ndërmerrte një hap vetëm sa për shfaqje, sepse nuk kishte asnjë shans që aplikimi të ecte përpara. Sot, më shumë se dy vjet pas asaj dite, ne kemi shënuar rekord, duke mos marrë për dy vite rresht statusin e vendit kandidat, diçka që Serbia e rrëmbeu brenda pak muajsh.

Shitja e detit

Por më e dhimbshmja në këtë histori është se këtë shfaqje e kemi blerë shtrenjtë.

Dy ditë pasi Berisha dorëzoi aplikimin për në BE, një kabllogram i zymtë i ambasadës amerikane shpallte që në titull lajmin e hidhur: Greqia merr bregdetin shqiptar. Shqipëria ishte shitur në ato ditë kur Berisha krenar do dorëzonte atë zarf në Pragë.

Më 27-28 prill, kryeministri grek Kostas Karamanlis vizitoi Shqipërinë, në të parën vizitë të një kryeministri grek që nga viti 1992. Për shkak të protestave, presidenti grek Karolos Papulas kishte ndërprerë një vizitë në Shqipëri në vitin 2005. Por tani ka lindur një ditë e re. Ambasada greke dhe Ministria e Jashtme thonë se këto janë marrëdhëniet me të mira që nga viti 1973. Pala greke thotë se nënshkrimi i marrëveshjes për shelfin detar mes dy vendeve ishte arritja më e madhe. Media e ka sulmuar qeverinë se ka dhuruar më shumë për grekët. Zona në fjalë është strategjike dhe ka potencial për turizëm dhe naftë. Disa vëzhgues thonë se ky koncesion është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, thuhet në kabllogram.

Në të thuhet se Berisha e Karamanlis zhvilluan një takim kokë më kokë dhe asnjë detaj nuk doli në dritë.

E kombinuar me marrëveshjen për detet, marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë, ratifikimin e MSA dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duket se çështjet kryesore bilaterale janë zgjidhur. Megjithatë, ndërsa qeveria dhe grekët janë të kënaqur, shumë shqiptarë nuk janë, gjykuar kjo nga reagimi i medias dhe disa liderëve politikë. Marrëveshja për kufijtë detarë ka provokuar një valë dyshimesh në lidhje me motivet e vendimit dhe se si Shqipëria ia dha gjithçka Greqisë sipas kërkesave të saj. Grekët dolën pa lagur edhe nga çështja e ndjeshme çame. Qeveria duket se nuk ka ndërmend ta ndjekë këtë çështje pasi rreth 600 mijë shqiptarë punojnë atje dhe Greqia është partneri i dytë tregtar për Shqipëri. Mbi të gjitha, kjo duket një vizitë e mirë për Greqinë, thuhet në komentin e kabllogramit.

Rrezikon aleancën me SHBA

Por për të marrë një mbështetje të vogël për këtë veprim elektoral, kryeministri Sali Berisha rrezikoi dhe aleancën me SHBA. Janë disa kabllograme që rrëfejnë se si këto marrëdhënie u rrezikuan vetëm e vetëm që Berisha të merrte mbështetje nga presidenti francez Sarkozi. Ky i fundit vetëm sa i dha dorën në shkallë një Berishe të kthyer me urgjencë nga Kina drejt Parisit. Një njoftim i shkurtër i presidencës franceze shpallte se Franca mbështet integrimin. Kurse njoftimi i qeverisë shqiptare ishte një çarçaf që fliste për mbështetjen e pakufi të Sarkozi. Në të vërtetë Berisha sa kishte firmosur një marrëveshje prej 70 milion dollarë për të blerë helikopterë nga një kompani franko- gjermane. Lajmin e zbuluan mediat franceze. Amerikanët në Tiranë u tërbuan. Më shumë se kaq, ata i tërboi fakti se tenderi ishte anuluar në mënyrë të papritur. Dy ditë më pas, përfaqësuesit e kompanisë amerikane, Sikorsky, të cilët ishin futur në garë, takuan Berishën dhe Imamin, të cilët u premtuan me buzëqeshje se tenderi do shkonte shumë mirë. Pa u treguar atyre se dy ditë më parë e kishin anuluar. Ky veprim i turpshëm skandalizoi amerikanët. Ambasadori amerikan në atë kohë, Uidhers, shkruante:

Pavarësisht pohimeve të Berishës, vendimi për prokurimet për helikopterët , i marrë nga kryeministri Sali Berisha, do jetë politik. Imami theksoi se ka marrë udhëzime që të mbyllë kontratën brenda vitit fiskal. Meqë objektivi kryesor i politikës së jashtme të Shqipërisë tani është anëtarësimi në Bashkimin Europian, qeveria duket se ndjen më shumë detyrime politike ndaj shteteve anëtare të BE. Imami ka pranuar megjithatë se SHBA është aleati më i fortë i Shqipërisë. Shqetësimi ynë më i madh është që çdo kontratë e prokurim të kryhet në mënyë transparente e të ndershme.

Sot kur asnjë njeri në BE nuk e qas, (kujtoni Stefan Fylen që tha se nuk e dija që Berisha ishte në Bruksel, kur thirri në tryezë çdo kryeministër të rajonit), kur SHBA po e injoron, Berisha do marrë një shuplakë, që atij duket se nuk i dhemb më. Por na dhemb ne të gjithëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›