E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha ngre tetë drejtori e agjenci të reja, fryn bashkinë me të punësuar militantë

Share

Në fushatë sulmonte Ramën se ka administratë të fryrë, tani vendos që të ngrejë struktura me të punësuar sa një ministri më vete. Drejtori parazite ngrihen për të punësuar militantët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka deklaruar se do të ristrukturojë administratën qendrore, duke shtuar drejtori, zyra e agjenci, që priten ta çojnë numrin e të punësuarve në qiell. Por ndërsa në fushatë kishte sulmuar kundërshtarin për një administratë të fryrë, vetë Basha me këtë vendim do e shndërrojë bashkinë në një super- institucion, ku me qindra militantë e përkrahës të PD e LSI do marrin një pagë. Vetëm Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, që do drejtohet nga LSI, thuhet se do ketë 1200 punonjës. Pa folur pastaj për drejtori të tjera, si ajo e turizmit, e investimeve të huaja,  e investimeve strategjike (?!), e përfshirjes së qytetarëve, që në fakt janë vetëm një justifikim për të punësuar njerëz, pasi punët që do bëjë kjo ushtri njerëzish janë bërë edhe më parë. Kjo filozofi pune e Bashës duket se bie ndesh edhe me parimin që shpall Berisha në thuajse çdo mbledhje qeverie, për nj administratë të vogël. Nga ana tjetër në këtë mënyrë Basha duke shpallur një ristrukturim, edhe heq nga puna ata pak njerëz që kanë ngelur nga administrata Rama.

Drejtoritë, zyrat dhe agjencitë që premton të ngrejë Basha

-Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit

-Drejtoria për Turizmin

-Zyrë dhe drejtori për investimet e huaja

-Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike

-Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi

-Zyra për Barazinë Gjinore

-Drejtoria për Sportin, Artin, Kulturën e Rininë ndahet në dy drejtori

Premtimet e Bashës

E para ka të bëjë me ristrukturimin e administratës qëndrore të Bashkisë së Tiranës. Në konceptimin e ri të kësaj strukture, në fushat kryesore, faza e planifikimit dhe e operimit (veprimit) do të vendosen në të njëjtën përgjegjësi, çka do të përmirësojë efiçencën e shërbimit ndaj qytetarëve. Siç kam premtuar gjatë fushatës, unë do i paraqes për miratim Këshillit Bashkiak, Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit. Struktura për këtë agjenci është bërë gati, me ndihmën e ekspertëve më të mirë në vend, të sektorit publik dhe të shoqërisë civile, të ardhur nga drejtime të ndryshme të kësaj fushe dhe që përfaqësojnë jo vetëm mendim profesional dhe ekspert, por edhe një gjithpërfshirje të angazhimit të tyre aktiv apo pasiv politik. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka një detyrë shumë të rëndësishme, mbrojtjen e interesave të konsumatorit të Tiranës, nëpërmjet investigimit, hulumtimit, ballafaqimit dhe penalizimit të atyre, që duke shkelur rregullat e tregut të lirë manipulojnë, spekulojnë me cilësinë, çmimet, me reklamimin e rremë, duke imponuar një kosto ndaj qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorëve në tërësi, ndaj së cilës Bashkia nuk mund dhe nuk do të mbyllë më sytë. Për këtë arsye, kjo agjenci është konceptuar si një agjenci operative, në të gjithë instrumentet: investigim, hulumtim, ballafaqim, penalizim dhe gjithashtu me kapacitete të mjaftueshme ekspertize, për një planifikim afatgjatë dhe orientim të faktorëve në treg, drejt praktikave më të mira për mbrojtjen e konsumatorit.

Siç kam premtuar, në strukturë do të hyjë për herë të parë Drejtoria e Turizmit. Për momentin, turizmi në strukturën e Bashkisë, është përgjegjësi vetëm e një specialisti, çka natyrisht nuk i shërben vendosjes së këtij aktiviteti në lartësinë e duhur, për interesat ekonomike, kulturore dhe turistike të qytetit. Unë jam takuar dhe konsultuar me shoqatën e operatorëve turistikë, para këtij vendimi, kam marrë mendimet e tyre dhe besoj se ky është vendimi i duhur për të promovuar dhe udhëhequr këtë degë të rëndësishme të ekonomisë së qytetit tonë, nga e cila presim një performancë më të lartë dhe krijimin e më shumë vendeve të punës.

Po kështu, siç kam premtuar gjatë fushatës, struktura e re do të ketë një zyrë dhe drejtori të investimeve të huaja, e cila do të ketë qëllim kryesor, promovimin e Tiranës, si një ambient i përshtatshëm dhe i preferuar për investimet e huaja, por edhe kërkimit aktiv të investimeve të huaja, për ti vendosur ato brenda kufijve të kësaj Bashkie, si terreni më i përshtatshëm në Shqipëri, si oportuniteti më i mirë për investime në vendin tonë. Edhe këtu, qëllimi kryesor është dhe mbetet zhvillimi ekonomik, si instrumenti kryesor për krijimin e vendeve të punës.

Do të krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike, e cila përveç Drejtorisë së Investimeve të Huaja dhe Parkut Teknologjik do të kujdeset për disa nga projektet kryesore, strategjike të kryeqytetit në katër deri në tetë vitet e ardhshme siç janë shtrirja e aksit kryesor nga bulevardi verior i qytetit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të Tramit, përfundimi në faza i Unazës së Madhe të Qytetit të Tiranës dhe investime të tjera të një natyre strategjike për qytetin e Tiranës.

Do të ndajmë Drejtorinë e Sportit, Artit, Kulturës dhe Rinisë në dy drejtori të veçanta, një për artin dhe kulturën dhe një për sportin dhe rininë, duke i vendosur këto sektorë të rëndësishëm të jetës në kryeqytet, në vëmendjen dhe fokusin më të rritur të Bashkisë, çka pa dyshim do të reflektohet edhe në kalendarin artistik, kulturor e sportiv, si dhe intensifikimin e përpjekjeve të Bashkisë së Tiranës, në raport me rininë dhe atë çka qyteti i ofron rinisë.

Do të krijohen dy zyra të reja, qëllimi i së cilave do të jetë përmirësimi i gjithpërfshirjes së qytetarëve dhe të rrisin vëmendjen e Bashkisë ndaj kategorive vulnerabël siç janë pakicat dhe gratë. Njëra prej këtyre zyrave do të jetë Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe tjetra do të jetë Zyra për Barazinë Gjinore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›