E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, vazhdon grabitja e skrapit nga Uzinat e Azotikut dhe Uresë

Share

Grabitja bëhet nga një kompani nënkontrakotore e KURUM-it për demolimin e objektit, e cila ka të ngarkuar për marrëdhëniet me autoritetet Leonard Kokën, vëllain e deputetit të LSI në Durrës, Lefter Koka.

Uzina e Azotikut dhe Uresë në Fier vazhdon të shkatërrohet nga një kompani nënkontraktore e kompanisë KURUM, e cila po merr prej uzinave hekurin dhe çelikun. Demolimi i objekteve prej metali dhe rrethimi me njerëz të armatosur i objekteve, nuk është ndalur dot as nga hetimet e prokurorisë dhe nga raportet e medies. Gazeta Shqip raporton sot se në portat ku dikur hynin dhe dilnin qindra punonjës qëndrojnë vetëm rojat, një në çdo prej tyre. Njëri syresh, teksa ha mëngjesin mbi tavolinën e vjetër prej druri, shpjegon qetë-qetë se hyrja në brendësi të territorit është e ndaluar. Ai shpjegon se tashmë aty kanë mbetur pak gjëra. Inoksi dhe metalet e tjera me vlerë të madhe janë marrë prej kohësh. Tani kanë mbetur vetëm copa hekuri të ndryshkura. Kam punuar vetë dikur aty dhe e di mirë që vlera e metaleve të ndodhura në këtë uzinë, si dhe mjaft materiale të tjera ka qenë e pallogaritshme, tregon roja i njërës prej portave që të çon në gërmadhat e godinave të dikurshme, që po mbulohen nga shkurret. Ndërsa e pyesim lidhur me plaçkitjen e fundit që po i bëhet kësaj godine, ai shprehet se pas publikimit në disa media të lajmit për pezullimin e tenderit, kamionët janë rralluar disi.

Ndonëse duket një kamion i vjetër dhe i mbingarkuar, ai ecën shumë shpejt, duke sfiduar edhe amortizimin e rrugës. Është ora 09:30 e ditës së hënë (10 tetor) dhe ai kamion pa targa del i qetë nga një prej portave të ish-Azotikut. Mjeti i rëndë shoqërohet nga një fuoristrada ngjyrë gri me targa të huaja. Të shqetësuar dhe me nxitim pesë personat që ndodhen në fuoristrada ndjekin kamionin dhe shikojnë të nervozuar nga të gjitha anët. Madje makina e tyre ndihmon kamionin të largohet me shpejtësi, duke bërë zhbllokimin e qarkullimit derisa ai humbet nga objektivi i aparatit. Duket se askush nuk mund ta ndalojë këtë plaçkitje, as pezullimi i tenderit dhe as hetimi i prokurorisë. Pasi gjithçka kryhet në mes të ditës dhe këtë herë objektivi është i paidentifikueshëm dhe shoqëruesit janë vigjilentë, nëse tenton ti ndjekësh deri në destinacionin përfundimtar të tyre. Ndërkaq, askush prej përgjegjësve ende në detyrë nuk preferon të japë shpjegime apo të sqarojë rrethanat e daljes nga territori i ish-uzinës së kamionit me skrap. Ndërsa banorë të zonës shprehen se gjithçka vazhdon të jetë si më parë. Sipas tyre, kamionët që ngarkohen aty plot e përplot me mbetje metalike vazhdojnë të qarkullojnë ditën dhe natën. Një tjetër fakt që të bie në sy teksa kalon jashtë murit apo kangjellave rrethuese është numri i madh i personave që qarkullojnë aty. Ata nuk janë nëpër zyra apo nëpër sektorë duke punuar, qëndrojnë pranë portave, flasin në telefon dhe janë gjithnjë në lëvizje duke treguar me gjestet e tyre nervozizmin që ndoshta përjetojnë. Kjo ishte një paradite jashtë rrethimit të ish-uzinës së Azotikut. Çfarë ndodh brenda këtij rrethimi e tregojnë kamionët që vazhdojnë të mbartin skrapin e gjigandit që dikur quhej Azotik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›