E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaçe dhe Abrashi, risi edhe në zgjedhje

imagesNga Edmond Sufaj

Talentet e kombëtares shqiptare kanë bërë ndryshimin e madh, duke lënë pas Greqinë dhe Zvicrën

Ndryshe nga rastet e mëparshme, futbollistët e ftuar së fundmi kanë bërë ndryshimin e madh, duke zgjedhur Shqipërinë si kombëtaren e tyre. Rasti i Ergys Kaçes dhe Amir Abrashit janë raste që flasin shumë, pasi ata janë konsideruar talente të padiskutueshme në vendet ku janë rritur si futbollistë.

19-vjeçari, Ergys Kaçe ka qenë një nga lojtarët kryesorë në formacionin bazë në ekipin e PAOK-ut gjatë sezonit të zhvilluar në kampionatin helen. Mesfushori ka marrë vlerësime të shumta nga opinioni sportiv në Greqi, duke e klasifikuar si një nga lojtarët e ardhshëm të Greqisë.

Zgjedhja e tij për të luajtur me kombëtaren e Shqipërisë  ka shtangur opinion në vendin fqinj. Ky rast përbën risi përsa i përket zgjedhjes, pasi rastet e mëparshme kanë demonstruar të kundërtën, si ai i Sotir Ninit, i cili zgjodhi Greqinë për ty përfaqësuar në arenën ndërkombëtare. Kaçe ka lindur në Korçë, por karrierën si futbollist e ka nisur në Greqi me skuadrën e të rinjve të Archilleas Triandas.

Më 2004-ën, ai u transferua te skuadra e të rinjve të PAOK-ut, ku qëndroi deri më 2010-ën. Më pas, lojtari kaloi në ekipin e parë. Në vitin 2011-2012, mesfushori u huazua te skuadra e Annagenisi Epanomi, ku u aktivizua në 16 ndeshje, duke shënuar një gol. Pas kësaj eksperience, lojtari u rikthye të skuadra e PAOK-ut, ku në sezonin e fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm në formacionin bazë të skuadrës.

Abrashi, zhgënjimi zviceran, gëzimi shqiptar

Mesfushori i skuadrës së Grashopers ka zhgënjyer pa masë opinionin sportiv helvet pas zgjedhjes që lojtari bëri për të luajtur me kombëtaren e Shqipërisë. Kjo është risia tjetër e zgjedhjes, duke patur parasysh refuzimin që kanë bërë pjesa dërmuese e lojtarëve në kampionatin zviceran.

Rasti i Abrashit është i veçantë, pasi ai konsiderohej një lojtar i kombëtares zvicerane për faktin se ka kaluar të gjitha ekipet zinxhir. Abrashi ka arritur të jetë një nga futbollistët më të spikatur të kombëtares helvete në ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Mesfushori e ka nisur karrierën si futbollist me të rinjtë e Winterthur.

Fillimisht u huazua te skuadra e Grashopers në sezonin 2010-2011. Pas paraqitjes shumë të mirë, mesfushori nënshkroi një kontratë me skuadrën e Zyrihut, më të cilën është kthyer në një lojtar të rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe, lojtari ka kaluar te skuadrat zinxhir të Zvicrës, me të cilat ka arritur suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij Abrashit, zgjedhja e Shqipërisë ishte e natyrshme, zgjedhje e cila është përshëndetur edhe nga lojtarët shqiptarë të skuadrës së Zvicrës. Afrimi i elementëve të rinj në ekip përbën një arritje e madhe për Shqipërinë dhe sidomos kjo edhe për meritën e trajnerit Xhani De Biazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›