E Diel, 1 Nëntor 2026

SHQIPËRI-NORVEGJI Pësojmë më pak, shënojmë më shumë

kuqezinjteNga Gentian Alinani

Lojtarët xhol, arma e De Biazit. Duelet kokë më kokë ofrojnë spektakël

Ndeshja e Qemal Stafës do të jetë shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Pritet lojë e fortë fizike, por mbi të gjitha do të dominojë taktika e cila është në damarët e trajnerit De Biazi, si trajner italian. Duelet kokë më kokë do të jenë bukuria e kësaj ndeshjeje që premton spektakël.

Shumë emra të rinj në radhët e të dyja skuadrave tregojnë se kjo ndeshje po përgatitet më së miri në dy kampet. Po studiohet me vëmendje çdo detaj që mund të bëjë diferencën. Norvegjia e pësoi pikërisht nga një skemë e mirëpërgatitur dhe do të bëjë kujdes, ndërsa ekipi kuqezi po mendon një tjetër perlë për të bërë të festojnë një kombë të tërë.

Statistikat

Ekipi ynë kombëtar deri tani ka arritur të grumbullojë nëntë pikë falë tre fitoreve. Rezultatet negative për djemtë e De Biazit janë 2, humbja e turpshme me Islandën dhe me Zvicrën. Ndërkohë që kampi norvegjez ka shtatë pikë. Dy ekipet kanë statistikë të njëjtë përsa u përket golave të shënuar.

Shqipëria dhe Norvegjia kanë nga gjashtë gola, ndërsa diferencën e bëjnë golat e pësuar. Ekipi ynë kombëtar ka pësuar vetëm pesë gola, ndërsa Norvegjia gjashtë. Kjo do të thotë që Norvegjia pëson më shumë sesa ekipi i De Biazit. Mbrojtja e kombëtares tonë ka qenë solide dhe golat që kanë pësuar kanë qenë nga fragmente që edhe mund të shmangeshin.

Duelet kokë më kokë

Ende nuk dihet se kush do të jenë formacionet e të dyja skuadrave, por disa lojtarë bazë dhe të pazëvendësueshëm janë në mendjen e dy trajnerëve. Duke filluar që nga porta dhe deri në sulm, statistikat flasin për djemtë e De Biazit.

Në kombëtaren e Norvegjisë janë vetëm dy lojtarë që kanë luajtur të gjitha ndeshjet. Njëri është mbrojtësi Brede Hangeland dhe tjetri është Rise (ky i fundit hoqi dorë nga kombëtarja). Shumë ndryshe është situate në kampin kuqezi, ku Mavraj, Cana, Bulku dhe Lila kanë luajtur në të pesta ndeshjet.

Porta e kuqezinjve ka gjetur sigurinë me Etrit Berishën ndërsa ekipi norvegjez ka ndryshuar shumë portierë deri tani. Lojtari më i mirë i kundërshtarëve tanë është Markus Herinksen i cili me shumë mundësi do të ketë Ervin Bulkun dhe Migjen Bashën përball tij. Jurgen Gjasula do të ketë kundërshtar Hovard Nordveit i cili do të përpiqet të mbulojë trurin e ekipit shqiptar.

Duelet në krahë do të jenë vërtet interesante, ku Llullaku nga njëra anë dhe Rama nga krahu tjetër do të shqetësojnë mbrojtjen vikinge. Xhoshua King mendohet të jetë sulmuesi kryesor i cili do të ndalet nga Mavraj dhe Curri, ndërsa në sulmin kuqezi dilemat janë të forta për De Bazin. Sidoqoftë, kushqo që do të luajë nuk do ta ketë të lehtë përballë gjigandëve të mbrojtjes norvegjeze.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›