Mbetës të pandreqshëm
Jo pak, por rreth 25 përqind e maturantëve që nuk arritën të marrin provimin me detyrimnë muajin qershor, kanë rezultuar të jenë mbetës edhe në provën e dytë, në Sesionin e Vjeshtës të Maturës Shtetërore, të zhvilluar jo më larg se dy javë më parë. Lajmin e konfirmon për mediat, drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, Edmond Lulja, i cili është shprehur se, "Në provimet e vjeshtës të Maturës Shtetërore, ku morën pjesë rreth 8 800 nxënës, kanë rezultuar kalues rreth 75 për qind e maturantëve". Sipas drejtorit të AVA-s, në provimin e Gjuhë-Letërsisë u paraqitën mbi 3 900 maturantë, prej të cilëve, 927 rezultuan jokalues në provim, ndërsa në provimin e detyruar të Matematikës morën pjesë 4900 maturantë, nga të cilët, jokalues në provime, rezultuan të jenë 1200 nxënës. Me mbarimin e sesionit të dytë të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, nxënësit përfundojnë vitin shkollor 2007- 2008. Ata që arritën të marrin provimet me detyrim në sesionin e vjeshtës, do të kenë të drejtën për të dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nëse do të dëshirojnë të ndjekin studimet e larta, vetëm vitin pasardhës.