"EULEX, në bazë kushtetutën dhe Ahtisarin"
Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ka vlerësuar se vendosja e EULEX-it duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisarit.
Ajo ka kundërshtuar zërat që flasin në favor të një qëndrimi neutral të EULEX-it ndaj statusit të Kosovës, në këmbim të marrjes së pëlqimit nga Beogradi për vendosjen e misionit evropian në pjesën veriore të Kosovës.
Eurodeputetja, Pack, tha në Prishtinë se, sikur të mos ishte plani i Ahtisarit, as EULEX-i nuk do të ishte në Kosovë.
Komentet e saj u bënë pas një takimi me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Dardanisë në opozitë, Besa Gaxherri, me të cilën kanë biseduar për çështje të përfaqësimit gjinor në Kosovë.
Zonja Pack po qëndron në Kosovë për një vizitë dyditëshe dhe ka marrë pjesë në një seminar të organizuar nga OSBE-ja për gruan dhe zhvillimin e politikave brenda partive politike.