Kacin: Kosovën e pret punë edhe më e madhe
Nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore Jelko Kacin ka përshëndetur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, por ka vlerësuar se Kosova ka ende punë përpara për të mundësuar sundimin e plotë të ligjit.
EULEX-i dhe KFOR-i mbeten në terren për te ndihmuar institucionet në Prishtinë, por përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e zbatimit të ligjit, është më e madhe sesa më parë. Të drejtat e njeriut duhet të jenë të garantuara për secilin qytetar, në veçanti për komunitetet pakicë dhe për të kthyerit serbë, ka thënë Kacin përmes një deklarate për media.
Ai ka vlerësuar se liderët kosovarë duhet të tregojnë pjekuri politike dhe përgjegjësi me të cilën do të forcohen përpjekjet për tiu ofruar komunitetit serb në veri të Kosovës.
Prishtina, sikurse edhe deri më tani do të ketë mbështetje të fuqishme të institucioneve të BE-së për të vazhduar me reformat evropiane, për të forcuar pavarësinë institucionale dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, ka theksuar Kacin.