E Diel, 1 Nëntor 2026

Kacin:Serbia të dëshmojë se po respekton marrëveshjet

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, tha se referendumi i paralajmëruar në veriun e Kosovës nuk do të duhej të ndikonte në vendimin e Bashkimit Evropian për t`i dhënë ose jo statusin e kandidatit shtetit serb, sepse për këtë status “nuk konkurron Kosova, por Serbia”.

Kacin tha për mediat serbe se autoritetet e Beogradit, deri në vendimin e muajit mars, duhet të përmirësojnë “imazhin e Serbisë dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura me Prishtinën”.

Ai shtoi gjithashtu se “është në interesin e rajonit që Serbia të fitojë jo vetëm statusin e kandidatit, por edhe të nisë bisedimet për anëtarësim në BE, sa më parë që të jetë e mundur”.

Referendumi në veri është paralajmëruar të mbahet më 14 dhe 15 shkurt në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Me të synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›