Kadare: "E penguara" nuk i kushtohet Drita Çomos
"E penguara, requiem për Linda B", romani i ri i Ismail Kadaresë i kushtohet vajzave shqiptare të internuara. Kështu e përmblodhi përsëri homazhin me pak fjalë shkrimtari gjatë prezantimit të djeshëm të veprës së tij komplete. Në këtë mënyrë ai përgënjeshtroi lajmin e dhënë në disa të përditshme se ky roman i kushtohet Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës. "Libri flet për një njeri të penguar. Zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati, këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjithë vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin dhe jo një emri, apo një tjetri. Vajzat shqiptare kanë thithur brengën shqiptare", - pohoi Kadare. Përmbledhja me 20 vëllime e krijimtarisë së Kadaresë është përgatitur dhe botuar nga shtëpia botuese "Onufri". Një letërsi e shkruar në harkun kohor të gjysmë shekulli.
Tek të rejat e "Veprës së Plotë" janë futur romani "Aksidenti" botuar së pari në frëngjisht dhe eksperimenti letrar, siç e quan autori, "Sorkadhet e trembura" një rrëfim për skenar filmi artistik.