E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Gëzim për rrugën, trishtim për abuzimet


Deputeti Namik Dokle, pas bashkëbisedimit me përfaqësues të firmës ndërtuese u shpreh se si grup deputetësh mbërritën në Thirrë që të merrnin informacion se çfarë ka ndodhur. "Unë kam qenë dhe herë të tjera, e kam parë rrugën në ndërtim, por edhe pasi është ndërtuar dhe gjithmonë kam pasur një ndjesi të dyfishtë: gëzim që po ndërtohej kjo rrugë, por trishtim për mënyrën se si ndërtohet kjo rrugë", u shpreh Dokle. Ai vijoi duke thënë se rruga Durrës - Kukës nisi si një rrugë kombëtare por që përfundoi si rrugë elektorale, nisi si një projekt i shekullit dhe vazhdoi si korrupsion i shekullit, nisi me teknologji moderne dhe për arsye elektorale, u shkelën të gjitha rregullat e teknologjisë moderne dhe ndodhi kjo që ka ndodhur.

"Është e thjeshtë që ne kërkojmë transparencë jo për ne deputetët, por transparencë për të gjithë shqiptarët, për taksapaguesit, për ata që e duan këtë rrugë, për ata që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që ta dinë çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe kur merr fund ky defekt i madh, - vijoi Dokle. - Sipas specialistit amerikan është një defekt mjaft shqetësues dhe kanë ardhur edhe ekspertë ndërkombëtarë për ta parë këtë gjë. Ne këtë kërkojmë që tuneli të hapet sa më shpejt dhe ka një paralelizëm pak absurd, që ndërkohë që është mbyllur dosja e zotit Basha, është mbyllur edhe tuneli". Deputeti socialist u shpreh se duhet një punë e madhe që tuneli të hapet sa më shpejt dhe ndërkohë të hapet edhe dosja e atyre që e shkaktuan atë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›