Nishani: Gjyqtarët kanë të drejtë. Drafti gati në Kuvend
Ministri i Drejtësisë tha dje se projektligji për konferencën gjyqësore është gati dhe pret vetëm votat e deputetëve
TIRANË- Ministria e Drejtësisë e konsideron të përfunduar punën e saj sa i përket projektligjit "Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare". Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka deklaruar dje se projektligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që ka mbaruar së draftuari pret të trajtohet në Kuvend. Por, në mungesë të opozitës në Kuvend, Nishani merr përsipër t'i japë të drejtë lëvizjes së fundit të gjyqtarëve, duke theksuar se, funksionimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nuk mund të mbetet në ngërç, aq më tepër, që "edhe më parë Konferenca është mbledhur me vetë-rregullim".
Duke iu përgjigjur edhe interesit të gjyqtarëve, që ky projekt të përfshinte edhe sugjerimet e ndërkombëtarëve, Nishani tha se, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar detyrën e saj në draftimin e projektligjit në fjalë, mbështetur edhe në sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, Shoqatave të Gjyqtarëve, Këshillit të Lartë i Drejtësisë, si dhe misioneve të asistencës ndërkombëtare. Në një prononcim për Atsh-në, Nishani deklaroi dje se, "qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetë-organizimit të saj".
Fillimisht, ka pasur një ankesë pasi ligji në fjalë u kalua në Parlament, dhe Gjykata Kushtetuese e pezulloi me argumentin se, ligji duhet të kalonte me një shumicë të kualifikuar, 3/5 e votave në Parlamentit, duke e konsideruar këtë si një ligj organik. Ky është vetëm një pretendim që ngre Ministria e Drejtësisë, pasi në të vërtetë Gjykata Kushtetuese rrëzoi thuajse të gjithë përmbajtjen e ligjit të miratuar më parë në Kuvend. Nga ana e tij, Nishani theksoi se, Ministria e Drejtësisë ringriti një grup pune, duke realizuar draftimin e një projekti të ri, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e interesuar në sistemin e drejtësisë. "Mungesa e opozitës në Parlament, është një fakt publik, por, nuk është vetëm çështja e këtij Projektligji. Opozita mund të hyjë në Parlament e të mos e japë votën si në rastin e ligjit për Gjykatën Administrative, i cili nuk ka kaluar në seancë, pasi opozita nuk ka dhënë votat e saj",- tha ai.