Krishtlindjet, Rama shtron drekë te “Partizani i Panjohur”
Po me rastin e Krishtlindjeve, Bashkia e Tiranës ka ofruar një drekë për rreth 250 vetë, në lulishten tek “Partizani i Panjohur”. Bëhet fjalë për qytetarë, të cilëve kushtet e vështira ekonomike, nuk u lejojnë të përjetojnë ashtu siç duhet festën. “Janë të panumërt njerëzit në nevojë, të cilët do të donin të festonin dhe nuk mund të festojnë, për një shkak të një pamundësie të jashtëzakonshme ekonomike, por megjithatë është sot më shumë se çdo ditë tjetër të vitit e domosdoshme, që këtyre njerëzve t’u jepet mundësia të shohin një dritë shprese dhe në këtë drekë të shtruar nga Bashkia për një numër shumë të vogël ndër ata që në fakt do të donin ta kishin sot një drekë”, u shpreh kryebashkiaku Rama. Po dje, ai vizitoi fëmijët e Spitalit Pediatrik në kryeqytet, i shoqëruar nga të rinjtë dhe të rejat e Rrjetit Rinor të Bashkisë së Tiranës. “është një privilegj i madh që së bashku me vajza dhe djem të Rrjetit Rinor të Bashkisë, ne kemi mundësinë që të vijmë çdo Krishtlindje këtu, në spitalin e fëmijëve, për t’u dhënë edhe atyre që janë sot më në nevojë se të gjithë të tjerët, mundësinë që të kenë gëzimin e një feste dhe ndërkohë për të rritur ndjeshmërinë që e gjithë shoqëria të gjendet pranë këtyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë jo vetëm për dhuratë feste, por për gjak në mënyrë të vazhdueshme, çdo ditë”, u shpreh kryetari i Bashkisë. Të rinjtë e Rrjetit Rinor, përmes animacioneve, dhuratave të ndryshme u gjendën pranë vogëlushëve, duke u sjellë atyre atmosferën e festave të fundvitit, duke treguar ndjeshmërinë dhe mbështetjen ndaj atyre që përveç dhuratave në këto ditë festive, kanë nevojë mbi të gjitha për dashurinë dhe mirësinë e çdokujt.