Molusqet, produkt i rëndësishëm për eksportet shqiptare
Agron Duka Sot në vendin tonë ekziston një bilanc tejet negativ ndërmjet eksportit e importit dhe nuk është aspak i lehtë balancimi ndërmjet tyre. Të gjitha qeveritë janë angazhuar se do ta zbusin atë, madje kanë marrë edhe zotime në shifra, por vërehet që ky disproporcion jo vetëm që nuk është përmirësuar, por ndoshta është përkeqësuar. Kjo për arsye se gara e tregjeve sa vjen e vështirësohet, tregtarët e prodhuesit e vendeve evropiane janë të kujdesshëm të mos lënë hapësira, ku ata mund te përfitojnë. Vendet e rajonit edhe ato të BE janë padyshim më të zhvilluara se vendi ynë e si pasojë eksportimi i produkteve shqiptare në këto vende është i vështirë, por jo i pamundur nëse ne do të dimë të orientohemi mirë e t’i japim përparësi pikërisht atyre produkteve që mund të konkurrojnë në tregun rajonal e atij evropian në përgjithësi. Një rol të rëndësishëm në përmirësimin e këtij raporti luajnë produktet bujqësore, sidomos ato bio, bimët aromatike dhe mjekësore, perimet e hershme si dhe produktet e peshkut të përpunuar dhe molusqet bivalve.Sot raporti eksport–import ne bujqësi është 10:1 në favor të importeve. Shprehur në vlerë monetare, importet arrijnë 700 milionë dollarë, ndërsa eksportet 70 milionë dollarë në vit. Politikat dhe masat për nxitjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore shqiptare, deri më tani nuk janë aspak inkurajuese. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kohë që ka lëshuar alarmin se kriza ekonomike, që megjithëse nuk pranohet publikisht, si dhe mungesa e likuiditeteve mund të kurohen ndërmjet të tjerave, edhe nga rritja e eksporteve.Përkundrejt këtij apeli shqetësues nuk ka pasur shembuj që të dëshmojnë përkushtim, përkundrazi në disa raste vërehet një neglizhencë e papërgjegjshmëri institucionale. Nëse marrim dhe analizojmë një nga produktet me peshë për eksportet tona, molusqet bivalve, na rezulton se eksporti i tyre, i cili është i ndaluar që nga viti 1995 pas rasteve të dyshuara të kolerës, nuk është hapur akoma e si rezultat ekonomia shqiptare ka një humbje, të llogaritur nga ekspertet, rreth 50 milionë dollarë në vit ose më mirë të themi një fitim të munguar në këto shifra, të cilat janë të konsiderueshme për ekonominë tonë.Potencialet prodhuese dhe investimet private në këtë sektor me shpresën e një licencimi të mundshëm duke pasur parasysh fitimet e sigurta e të majme, janë të konsiderueshme e synojnë të rriten akoma, nëse tregu i eksporteve lejohet për këto produkte tipike e shumë të kërkuara në dietën e vendeve mesdhetare dhe evropiane.çelja e eksportit të molusqeve bivalvore për në vendet e KE është një nga detyrat parësore të shërbimit veterinar shqiptar.Rritja e kërkesës së molusqeve edhe për tregun vendas ka sjellë si rezultat rritjen e prodhimit të tyre vitet e fundit. Duke filluar nga viti 2002 ky prodhim ka pasur një rritje konstante dhe të dukshme, kjo lidhur edhe me faktin se duke filluar nga ky vit për herë të parë filluan përpjekjet serioze për çeljen e eksportit të molusqeve nga ana e MBU. Këtë vit u miratua plani kombëtar i monitorimit të molusqeve i mbështetur me financimet e nevojshme, filloi përshtatja e rregulloreve dhe direktivave të BE në fushën e tregtimit dhe kontrollit të molusqeve bivalvore si dhe një përmirësim i laboratorëve të Institutit të Kërkimeve Veterinare dhe atij të Peshkimit, u përcaktuan gjithashtu, zonat e prodhimit dhe filloi monitorimi i tyre për të gjithë parametrat biologjikë dhe fizikë. Filluan për herë të parë të kryheshin në mënyrë të rregullt analizat mbi biotoksinat, analizat bakteriologjike, pesticidet etj. Kryerja e këtyre analizave mbi bazën e planit kombëtar të monitorimit, tregonte se Shqipëria kishte hyrë në një fazë tjetër, atë të monitorimit të standardeve të këtij produkti jo vetëm për tregun e huaj, por edhe për atë vendas, për të rritur sigurinë ushqimore ndaj tij sepse dihet që përdorimi i këtyre produkteve në mënyrë të pakontrolluar mund të sjellë intoksikime me pasoja për jetën e njerëzve. Këtu çështja nuk diskutohet mbi aftësinë e laboratorëve shqiptarë për kryerjen e analizave, por për kryerjen e këtyre analizave mbi bazën e një sistemi funksional, periodik dhe garantues për prodhuesin dhe konsumatorin. Në vitin 2003 erdhi për herë të parë në Shqipëri misioni i inspektorëve të KE, i cili kontrolloi të gjithë sistemin dhe evidentoi një sërë problemesh, të cilat kishin të bënin me funksionimin e tij. Nga kontrolli i kryer u gjendën probleme pasi kjo lidhej me mungesën e eksperiencës së administratës shqiptare si dhe me faktin që ky sistem po aplikohej për herë të parë në vendin tonë. Rezultatet e këtij misioni si dhe kontaktet e vazhdueshme me inspektorët e KE sollën që gjatë viteve 2004 dhe 2005 puna të përmirësohej, duke filluar me investimet në IKV në mënyre që analizat të përqendroheshin aty për të pasur mundësinë e një monitorimi rigoroz e të vazhdueshëm, u bënë një sërë trajnimesh të specialistëve, si dhe përmirësime të mëtejshme në legjislacion. Gjatë kësaj periudhe filloi ndërtimi i Qendrës së Grumbullimit të Molusqeve në Sarandë, me mbështetjen e KE sikurse dhe një projekt i asistencës teknike për IKV. Dukej që ky angazhim, i mbështetur fuqishëm nga investitorët vendas të kësaj fushe, po shkonte në rrugë të mbarë. Edhe në rastet kur nga strukturat e ministrisë vihej re një farë ngathtësie ishin këta investitorë, të cilët nëpërmjet takimeve dhe insistimit të vazhdueshëm i nxitnin dhe i zgjonin ata, në mënyrë që të arrihej sa më shpejt lincencimi për të vënë në efeciencë investimet e bëra nga ana e tyre. Në vitin 2006 me kërkesë të palës shqiptare erdhi misioni i dytë i KE për të kontrolluar shërbimin veterinar me qëllim çeljen e eksportit të molusqeve bivalvorë, i cili gjeti përmirësime të dukshme në drejtim të sistemit të kontrollit dhe hedhjes në treg të tyre, por çelja e eksportit u la për një kontroll të dytë pas vënies në funksionim të qendrës së grumbullimit të midhjeve në Sarandë. Me përfundimin e kësaj qendre, shërbimi veterinar kërkoi një inspektim të tretë në vitin 2007. Gjatë këtij kontrolli, i cili u bë në qershor të atij viti misioni vërejti se jo vetëm nuk kishte përmirësime, por një kthim prapa në drejtim të sigurisë së këtij produkti. Kur mendohej se çdo gjë në këtë proces po ecte sipas planit të veprimit, misioni vërejti se Shqipëria nuk përmbushte akoma standardet për të marrë të drejtën e eksportit të molusqeve në BE. Laboratori qendror në Dublin vlerësonte se gjendja sanitare ishte shqetësuese dhe nuk ishte vërejtur progresi i kërkuar nga misioni i mëparshëm. Kjo erdhi për shkak se kjo çështje nuk shihej më si një problem për t’u zgjidhur sa më shpejt, por në pah dolën prioritete të tjera. Perceptimi i këtij problemi madhor për ekonominë e vendit, jo vetëm për nga përfitimi ekonomik, por edhe nga pikëpamja e sigurisë ushqimore, ishte gabim. Nuk mund të thuhet që bujqësia shqiptare nuk ka probleme të tjera për të zgjidhur, probleme ka madje shumë, por kurrsesi të lihen pas dore punët e nisura për të cilat janë shpenzuar para duke u vlerësuar si prioritete, me gjykimin se paraardhësit nuk orientoheshin drejt. Sepse nëse do të vazhdohej kështu do të krijohej një precedent negativ dhe pasojat do t’i vuanim të gjithë.Në aspektin institucional u bë një shkëputje e hallkave, sektori i peshkimit kaloi në Ministrinë e Mjedisit, ndërsa përpunimi i produktit dhe monitorimi sanitar në Ministrinë e Bujqësisë. Po të kemi parasysh sa i vështirë është koordinimi dhe harmonizimi i nënsektorëve brenda institucionit dhe ai ndërmjet institucioneve të ndryshme vështirësohet akoma më shumë, prandaj në këto kushte del e nevojshme ngritja e një strukture të përbashkët apo grupi pune që të ndjekë problemin në vazhdimësi. Aktualisht, duket që ky problem shihet ndryshe e gjërat po ndryshojnë për mirë, të paktën kështu të krijohet përshtypja për aq sa kemi dëgjuar të thotë ministri i ri, i cili e merr në analizë me një zell krejt tjetër bilancin negativ të eksport-importeve, duke vënë theksin në politikat nxitëse për përmirësimin e tyre.Duke menduar se pesha qe zë eksporti i molusqeve bivalve tashmë kuptohet drejt, si dhe me një punë të koordinuar mirë ndërmjet institucioneve pa lënë pas dore kontributin e padiskutueshëm që jep biznesi që ka investuar në këtë fushë, sepse është ai që do të monitorohet rreptësishtë për kushtet higjieno-sanitare në prodhim, uroj që eksporti i tyre të hapet sa më shpejt dhe investitorët të vjelin më në fund frytet e investimit të bërë.