Pa ujë e drita, banorët pemë proteste në Kombinat
Aristir LumeziPS organizoi edhe dje në festën e Krishtlindjeve një tubim për mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike. Në mënyrë simbolike, banorët e lagjes Kombinat, në Njësinë bashkiake nr.6 kanë protestuar në një mënyrë krejt të veçantë. Pranë banorëve ka qenë dhe deputeti i qarkut Tiranë, Sajmir Tahiri. Një pemë rreth 10 metra e lartë, zbukuruar me bidonë plastikë uji, të cilët ishin bosh, u ngrit në sheshin “Garibaldi” në qendër të lagjes Kombinat. Banorët së bashku me deputetin e zonës, Saimir Tahiri, kanë ngritur këtë pemë në ditën e Krishtlindjeve dhe në prag të Vitit të Ri, për të shprehur në këtë formë protestën e tyre për mungesën e ujit dhe energjisë elektrike në këtë lagje të kryeqytetit. Ndryshe nga mesazhet e kortezisë që krerët e politikës bëjnë në ditë të tilla, ku deklaratat i ngjajnë shumë njëra-tjetrës, banorët e Kombinatit shprehën dje shqetësimin e ditës që i mundon prej kohësh. Duke mbështetur këtë protestë, deputeti socialist është shprehur se banorët e kësaj zone nuk kanë motiv për të festuar, kur gjenden në këto kushte të rënda mbijetese. “Sot është festë për të gjithë. Fatkeqësisht banorët e Kombinatit kanë dy arsye për të festuar më pak se të tjerët, dhe kjo sepse ju mungojnë dritat, ju mungon energjia elektrike dhe uji. është kjo arsyeja pse edhe pemën e Vitit të Ri këtu në Kombinat e kemi dekoruar simbolikisht me bidonë uji bosh. Dhurata më e mirë që mund t’ju bëjë Kryeministri dhe qeveria banorëve të Kombinatit është të përmbushin detyrimin e tyre, për t’i sjellë ujë dhe drita këtyre qytetarëve që e meritojnë të festojnë të barabartë dhe të jetojnë të barabartë me të njëjtat kushte si edhe Kryeministri i vendit”, u shpreh Tahiri. Banorët e Kombinatit janë shprehur se do të vazhdojnë protestën e tyre në forma të tjera, deri në zgjidhjen e problemit jetik për jetesën e tyre. Veç Kombinatit, edhe zona të tjera në kryeqytet kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Mbrëmjen e 24 dhjetorit, një pjesë e Laprakës, Zogut te Zi dhe 21-Dhjetorit, kanë pasur mungesë të energjisë elektrike për orë të tëra, duke e pritur lindjen e Krishtit në errësirë.