E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi inspekton punimet në autostradën Tiranë–Durrës



Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, zv.drejtori Cota, ka inspektuar dje ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e autostradës Tiranë–Durrës, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ndërhyrja konsiston në riparimin e pjesshëm të shtresave të asfaltit në gjithë gjatësinë e segmentit prej 32 km si dhe të sistemimit të kanaleve anësore nga kryeqyteti deri në Durrës. Punimet po kryhen nga firmat Euroteorema dhe Salillari, ndërsa supervizioni nga MPPTT-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Ministri Olldashi, në një prononcim të bërë për mediat tha se punimet do të përfundojnë në fund të muajit maj, duke e sjellë rrugën në parametrat optimalë, gjë që do të shtojë edhe shpejtësinë e shkëmbimit të trafikut midis dy qyteteve. Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që mund të shkaktohen në qarkullimin e mjeteve gjatë periudhës së zbatimit të punimeve, por theksoi që ky është një operacion i domosdoshëm për ta sjellë rrugën në parametrat normalë. Ai tha gjithashtu se MPPTT-ja është duke mbajtur me të njëjtat ritme financimet në sektorin rrugor dhe se janë një sërë rrugësh të reja që janë hapur në fund të vitit 2008, por edhe të tjera që do të hapen në muajt e parë të këtij viti, si rikonstruksione rrugësh, aksesh që janë në hyrje të qyteteve, të cilat janë të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e infrastrukturës rrugore të vendit. “Unë rikonfirmoj vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të investuar edhe në infrastrukturën e kryeqytetit. Një projekt madhor është Unaza e Madhe e Tiranës për të cilën ne kemi kërkuar nga bashkia vënien në dispozicion të projektit dhe po presim përgjigjen e tyre, e cila shpresoj të jetë pozitive në mënyrë që menjëherë të fillojmë rrugën, pasi është më mirë për qytetarët shqiptarë që Unaza e Madhe e Tiranës të fillojë sot dhe të përfundojë brenda vitit sesa të presë deri në vitin 2012. Nuk besoj që Bashkia e Tiranës ka motive për ta shndërruar çështjen e Unazës në një çështje politike, pasi nuk është çështje politike. Ne kemi fondin në dispozicion, qoftë për shpronësimin, qoftë për ndërtimin e saj, ndaj është më mirë që ta dorëzojnë projektin, pasi të lësh kryeqytetin pa Unazë edhe për 3 vjet, nuk është ndonjë gjë fort e mençur”, - u shpreh ministri Olldashi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›