E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinë: Shtyhet protesta e policisë

Prishtinë - Sindikata e Policisë së Kosovës ka shtyrë për një afat të pacaktuar protestën e cila ishte paraparë të mbahet sot. "Protestën e kemi shtyrë, por nuk e kemi anuluar", ka deklaruar Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se shtyerja e protestës është bërë pas një marrëveshje të arritur me stafin menaxhues të policisë.

Ndërkohë, pas takimeve disa orëshe të drejtuesve policor të PK-së dhe Këshillit Organizativ të Protestës është arritur një kompromis që protesta të shtyhet për një kohë të pacaktuar. Drejtori i Policisë së Kosovës, gjeneral Sheremet Ahmeti është zotuar para përfaqësuesve të Këshillit Organizativ të protestës se shumë shpejtë, mbase edhe brenda muajit të ardhshëm, pritet një përmirësim në të ardhurat e policëve. Megjithatë, ky përmirësim i kushteve, sipas përfaqësueses së Sindikatës së Policisë Valbona Kamberi, nuk pritet të jetë mjaft i dukshëm por sadopak mund të jetë i favorshëm në aspektin e mirëqenies.

“Drejtori i Policisë është zotuar se do të bëhet diçka shumë shpejtë brenda këtij muaji, lidhur me përmirësimin e mirëqenies së policit. Edhe pse ka kompetencat e plota tani si drejtor, megjithatë Këshilli Organizativ ka vendosur që mos ta lëmë Qeverinë asnjë minutë të qetë derisa të zbatohet marrëveshja e arritur mes nesh dhe Qeverisë”, tha ajo.

Sipas marrëveshjes, Departamenti i Buxhetit dhe Financave i Policisë së Kosovës do të vazhdojë përpjekjet e nevojshme që të gjendet një zgjidhje që së paku në muajin shkurt policët ta gëzojnë një benefit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›