E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, nënshkruhet marrëveshja e linjës 400 kv



Operatori i Sistemit të Transmetimit OST sh.a dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës KOSTT sh.a nënshkruan dje në Prishtinë 2 (dy) marrëveshje të rëndësishme për sektorin energjitik të Shqipërisë dhe Kosovës. Drejtori i përgjithshëm i OST sh.a, Ymer Balla, dhe drejtori menxhues i KOSTT sh.a, Fadil Ismajli, nënshkruan marrëveshjen për implementimin e projektit të linjës së interkonjeksionit 400 kv Kosovë-Shqipëri si dhe marrëveshjen e interkonjeksionit mes dy kompanive OST dhe KOSTT -Marrëveshja e Interkonjeksionit mes OST sh.a dhe KOSTT sh.a. Marrëveshja e interkonjeksionit mes dy operatorëve ka si qëllim bashkëpunimin, përmes së cilit do të vendosen parimet e operimit dhe mirëmbajtjes së interkonjeksionit ekzistues si dhe zhvillimit të interkonjeksioneve të reja. Kjo marrëveshje përcakton bazat dhe mënyrën e përdorimit optimal të linjave si dhe mundëson vendosjen dhe shfrytëzimin e shërbimeve ndihmëse. Linjat e interkonjeksionit ndërmjet palëve falë kësaj marrëveshjeje, do të konsiderohen si asete të interkonjeksionit derisa të nënshkruhet marrëveshja përkatëse për një zonë të vetme kontrolluese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›